Kurti: Rritja dhe zhvillimi i prodhimtarisë janë motori kryesor i zhvillimit ekonomik

Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, prezantuan sot operacionalizimin e masave 2.1 – Mbështetja për kredi investive dhe 2.4 – Rritja e eksportit të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Në hapje të konferencës, Kurti tha se Ekonomia e vendit tonë asnjëherë nuk ka përjetuar një rritje sikurse në këtë vit, rreth 10 për qind, dhe këtë duhet ta ndjekim me një rritje të prodhimtarisë dhe eksportit
Ai vuri theksin te rritja dhe zhvillimi i prodhimtarisë, si motori kryesor i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të një vendi.
“Investimi në prodhimtari nënkupton ngritje të kapaciteteve prodhuese dhe shtim të vendeve të reja të punës e që përkthehet në rritje të aktivitetit ekonomik në vend dhe si rezultat edhe rritje të mirëqenies qytetare”, tha ai.
Kryeministri theksoi se pandemia dëshmoi se prodhimi vendor ka rol kyç në ekonomi si për nga aspekti i sigurisë ekonomike ashtu edhe për nga aspekti i krijimit të vendeve të qëndrueshme të punës.
“Pasojat ekonomike të pandemisë të cilat po përcillen edhe me luhatje të çmimeve vë në pah dy faktorë: E para, si pasojë e shkëputjes së zinxhirit të furnizimeve, shumë vende të Evropës po shohin vende që i kanë më afër si eksportues potencialë. Dhe e dyta, theksohet nevoja për shtim të prodhimit vendor ashtu që ekonomia e vendit të jetë e izoluar nga inflacioni i cili importohet së bashku me produktet që vijnë nga tregjet e ndara”, tha ai.
Sipas masës 2.1 – Subvencionimi i kredive investive, parashihet subvencionimi i kredive investive për bizneset prodhuese dhe përpunuese në vlerë prej 20 % të kredisë; subvencionimi i kredive investive për bizneset në pronësi të grave në vlerë prej 20 % të kredisë, si dhe subvencionimi i kredive për bizneset që kanë nevojë për likuiditet në vlerë prej 10 % të kredisë.
Në anën tjetër, masa 2.4 – Mbështetja e eksportit parasheh mbështetjen financiare për bizneset prodhuese dhe përpunuese në subvencionimin deri në 10,000 euro për ngritjen e kapaciteteve të stafit menaxherial për certifikim profesional; subvencionimin deri në 20,000 euro për ngritjen e kapaciteteve të stafit të angazhuar në prodhim; subvencionimin deri në 50 mijë euro për aktivitet lidhur me brendimin dhe marketingun e produkteve; si dhe subvencionim deri në 50 mijë euro për pjesëmarrjen në panaire jashtë vendit, si mundësi e gjetjes së tregjeve të reja./21Media

Back to top button