Kurti: Rruga Podujevë-Prishtinë përfundon vitin e ardhshëm

Kryeministri Albin Kurti së bashku me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kanë inspektuar punimet në rrugën magjistrale Podujevë-Prishtinë, nga ku premtuan se brenda vitit 2022 do të përfundojnë punimet e parapara.
Kryeministri Kurti tha se si Qeveri zotohen se do të përkrahin ndërtimin e kësaj rruge, e cila lidh Llapin me kryeqytetin, andaj tha se pavarësisht zvarritjes së punimeve, tani e tutje çdo gjë do të shkojë mbarë.
“Jemi bashkë me Bulliqin që ta konstatojmë një zvarritje dhe zhagitje e cila përveç që e dëmshme është edhe e paarsyeshme, prandaj teksa sektori 2 do të përfundojë deri në fund të vitit 2021, në vitin 2022 ne zotohemi që do t’i përmbyllim komplet punimet dhe gjithçka çka është e nevojshme në mënyrë që kjo rrugë e cila lidh Llapin me Kryeqytetin të jetë e përfunduar dhe asisoj njerëzit të mos i kenë këto vështirësi me këtë trafik kaq të dendur i cili duket si në qendër të Prishtinës e jo këtu ku ndodhemi ne”, tha ai.
Edhe kryetari aktual i Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se shpreson që tani e tutje punimet në këtë rrugë do të ecin sipas dinamikës së paraparë, teksa u zotua se vitin e ardhshëm do të përmbyllet e tëra.
“Besojmë që nga sot e tutje procesi i punimeve të ecën mirë. Tani ditëve të fundit po shohim një dinamikë më të shtuar të punimeve dhe besoj që ky sektori i dytë do të përmbyllet deri në fund të vitit si proces i tërësishëm, pjesë e sektorit të parë që faktikisht është shkëputur kontrata dhe besoj që tash me fazën e ardhshme në vitin e ardhshëm projekti do ta marrë të mbarën dhe do të ecim tutje”, tha ai.
Zgjerimi i rrugës magjistrale Podujevë-Prishtinë e njohur edhe si N25, ka filluar në vitin 2016 dhe ishte paraparë që të përfundojë për tri vjet. Mirëpo, edhe pse kanë kaluar 5 vjet kjo rrugë për shkak të pengesave rreth shpronësimeve ende nuk ka përfunduar.

Back to top button