Kurti: Së bashku do ta tejkalojmë krizën

Nga fillimi i krizës energjetike, me qëllim zbutjen e saj, Qeveria e Kosovës deri tani ka ndarë nga buxheti 120 milionë euro.
Kështu deklaroi kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë, shkruan rtv21.tv
“Në perspektivë kjo është më shumë sesa buxheti, për shtesat për lehona dhe fëmijë, shtesat për skemat sociale dhe pensionale, buxheti për barna esenciale dhe buxheti për pajisje moderne për Policinë dhe Zjarrfikësit, të gjitha këto marrë së bashku”, tha ai.
Kurti tha se në dy muajt e fundit janë importuar 40 përqind të energjisë elektrike dhe se vetëm për 1 ditë kanë paguar 2.5 milionë euro.
Kryeministri theksoi se zotimi i Qeverisë për subvencionim të energjisë elektrike  për qytetarët njëherësh është edhe thirrje ndaj qytetarëve, për racionalizim të shpenzimeve të energjisë elektrike.
“Sa më shumë që kursehet, aq më e vogël është nevoja për import dhe aq më i vogël ndikimi i krizës energjetike te ekonomitë familjare”, theksoi kryeministri, duke shtuar se energjia e kursyer është buxhet i kursyer i shtetit dhe xhep i kursyer i qytetarit.
“Së bashku e solidarë do ta tejkalojmë këtë krizë”, përfundoi ai.
Zyra e Rregullatorit për Energji ka vendosur të ndryshojë tarifat për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat orë rrymë brenda muajit. Ndryshimet hyjnë në fuqi nga 9 shkurti./21Media

Back to top button