Kurti: Serbët braktisën institucionet për ta kolapsuar sistemin shtetëror, por s’ndodhi

(Lajm i përditësuar)


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se protestat e dhunshme në veri janë organizuar nga Beogradi.

Ai ka thënë se në veri nuk duhet të ketë struktura ilegale dhe veprime kriminale, duke shtuar se vetëm me të tilla kushte mund të mbahen zgjedhjet e reja.

Kurti ka thënë për France24 se legjitimiteti politik është i dobët për shkak të daljes së ulët në votime, porse sipas tij, pjesa tjetër atje nuk ka legjitimitet fare.

Ka shtuar se sot nuk ka pasur protesta të dhunshme, pasi sipas tij, nuk ka pasur urdhër për dhunë nga Beogradi.

Derisa ka përshkruar lidhjen e Serbisë me Rusinë, ai ka thënë se politikani më i preferuar në Serbi nuk është presidenti i tyre e as kryeministrja, por presidenti rus Vladimir Putin.

Sipas tij, Rusia dhe Serbia e urrejnë faktin se Kosova ka progres ekonomik e politik.


Kurti flet për zgjedhje: Së pari rendi dhe ligji

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë për mediumin francez “France 24” ku ka thënë se në komunat veriore mund të mbahen zgjedhjet, por sipas tij pasi të vendoset rendi dhe ligji.

Kurti ka thënë se pa ligj nuk mund të ketë zgjedhje të lira e demokratike.

“Ne kemi nevojë të vendosim rend dhe ligj, ky është insistimi im. Nuk dua dështim pas dështimi”, ka thënë Kurti.

Ndërsa derisa ka përmendur kryetarët e zgjedhur në komunat veriore, Kurti ka thënë se ata janë legjitim për të pasur qasje në ndërtesat komunale.

Shefi i ekzekutivit ka theksuar se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor.

Back to top button