Kurti: Serbia e përkushtuar të shkatërrojë ura bashkëpunimi

Në shënimin e Ditës Kombëtare të Boshnjakëve Kryeministri Albin Kurti, tha se pas sulmit terrorist në veri është dëshmuar se Serbia është e përkushtuar që të shkatërrojë ura të bashkëpunimit, e jo të kontribuojë në ndërtimin e tyre.
Sipas tij, rreshteri i vrarë, Afrim Bunjaku, ka rënë në mënyrë heroike, duke treguar se e ka dashur shtetin para se gjithash.
Kurti në këtë ceremoni pohoi se Qeveria është e vendosur për shtet të së drejtës e të barabartës për të gjithë, për çka e falënderoi komunitetin boshnjak për kontributin.
“Të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarave të fundit, sulmi terrorist në veri ka treguar për pohimet tona të para hershme. Kjo tregon përkushtimin e Serbisë që të shkatërrojë ura, e jo t’i ndërtojë ato. Policia ka treguar vendosmërinë dhe ka treguar se ka dashur rend e qetësi. Polici ynë Afrim Bunjaku ka rënë në mënyrë heroike, e ka humbur jetën, duke treguar që dashuria për shtetin është para të gjithave”, tha Kurti.