Kurti: Serbia është në panik, duan ta shpallin një president “Zajednice”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në 16 vjetorin e vrasjs së Mon Balajt dhe Arben Xhelandinit ka folur edhe për asociacionin, ku ka deklaruar se Serbia është në panik dhe dëshiron që të shpall një president zajednice.
“Kurrë nuk ka qenë më e diskutueshme gjithandej nëse ja kanë vlejtur komunat mbi baza etnike. Prandaj, Beogradi zyrtar me kaq nervoz kërkon asociacion të tyre. Si zajednicë komunash pat nisur edhe Republika Srpska në Boshnje dhe Hercegovinë. Jam i bindur që këtë nuk e duan serbët e Kosovës, por jam i bindur që mu këtë e donë Serbia. Kosova ka nevojë për më shumë demokraci, e ndër aspektet e rëndësishme të demokracisë është pluralizmi politik. Tek komuniteti serb në Kosovë njëmend nuk ka pluralizëm politik, mirëpo ai megjithatë po lind me qeverisjen tonë demokratike e progresiste. Prandaj, Serbia është në panik, duan që t’i bëjnë bashkë sa më parë 10 kryetar të komunave të së njëjtës parti që e dirigjojnë ata, ta shpallin një president zajednice dhe me atë ta shkelin ministrin tonë të qeverisë tonë, ministrin nga radhët e komunitetit serb. E padrejtë dhe e gabueshme, e dëmshme dhe e papranueshme”, ka përfunduar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje.s
Kurti: 232 plumba shkrepi UNMIK-u kur u vranë Arbeni e Moni
Pranë pllakës përkujtimorëve të Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, bënë homazhe me dhjetëra qytetarë, aktivistë, deputetë e ministra.
Kryeministri Albin Kurti tha se me të drejtë e kritikuam paketën e Ahtisarit.
“Dhjetëra mijëra qytetarë, e në ballë të tyre ishte baca Adem. 232 plumba gjithsej u shkrepën nga policia e UNMIK-ut. Arben Xheladini dhe Mon Balaj u vranë. Ish shefi i shtyllës së parë të UNMIK-ut kishte bërë një hetim atë pranverë, vrasjet e tyre kanë qenë të panevojshme dhe të evitueshme. Një javë para demonstratave tona, u patë publikuar pako e Ahtisarit. Kurrë nuk ka qenë me diskutueshme nëse ja kanë vlejtur komunat me bazë etnike. Kosova ka nevojë për më shumë demokraci. Serbia është në panik. E padrejtë dhe e gabueshme, e dëmshme dhe e papranueshme”, deklaroi Kurti.
10: 30- Konjufca për vrasjen e Balajt e Xheladinit: Parësore dënimi i autorëve të krimit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Galuk Konjufca në 16 vjetorin e vrasjës s Arben Xheladinit dhe Mon Balajt ka thënë se ata ranë dëshmorë në mbrojtje të vlerave të lirisë, barazisë, demokracisë dhe për vetëvendosjen e Republikës.
“Vitet nuk e zbusin dhimbjen për këta pishtarë të guximit, idealizmit të virtytshëm dhe aktivizmit qytetar të pathyeshëm. As zemërimin e pafund për drejtësinë e munguar ndaj atyre që kryen aktin mizor dhe u arratisën nga vendi i krimit. “, shkroi ai në Facebook.
Më tej Konjufca shtoi se drejtësia për vrasjen e tyre mbetet kërkese parësore.
“Vendosja e drejtësisë dhe dënimi i autorëve të krimit të 10 shkurtit 2007 mbetet kërkesë e jona parësore. Sepse, siç thuhet, kur padrejtësia qesh në tryezë, drejtësia qan pas porte.Po. Ne po ecnim drejt atë ditë, ne do ecim drejt gjithmonë. Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve të demokracisë Arben Xheladini e Mon Balaj!”, përfundoi i pari i Kuvendit.
09: 43- Haxhiu: Për vrasjen e Balajt e Xheladinit i jam drejtuar Sekretarit të Kombeve të Bashkuara
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar i është drejtuar Sekretarit të Kombeve të Bashkuara, për të kërkuar informata lidhur me nivelin e zhvillimit të procedurave dhe marrjen e përgjegjësisë nga policia rumune, për rastin e vrasjes së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, .
“Në 16-vjetorin e vrasjes së tyre, Haxhiu , ka shkruar se në vitin 2009 ishte hapur rasti për hetimin e vrasjes së tyre. “Para 3 vitesh zyrtarisht si ministre, u jam drejtuar autoriteteve rumune me shkresë për informacione lidhur me detajet procedurale dhe veprimet e ndërmarra për vrasjen e aktivistëve protestues. Vitin e kaluar rastin e kam adresuar edhe te Sekretari i Kombeve të Bashkuara për të kërkuar informata lidhur me nivelin e zhvillimit të procedurave dhe marrjen e përgjegjësisë nga policia rumune”, ka shkruar Haxhiu.
Haxhiu ka thënë Mon Balaj dhe Arben Xheladini “u bënë sakrifikuesit e shtetësisë që nuk dukej në horizont pa këta protagonistë dhe qindra-mijëra qytetarë që mbushën rrugët atëkohë”.
“E drejta për ushtrim paqësor të mendimit të lirë e qytetar u dhunua me shkopinj e plumba gome të UNMIK-ut, që për pasojë u dhanë fund tragjikisht jetëve të Monit dhe Arbenit. Rënia e tyre e ngriti edhe më shumë alarmin për korrigjim të padrejtësisë që po na bëhej me pakon e Ahtisaarit, e cila vetëm pastaj rezultoi me përmendjen e togfjalëshit ‘pavarësi e mbikëqyrur’, ende pa u mbushur as 3 javë prej vrasjes së dy aktivistëve nga plumbat e policisë rumune”, ka shkruar Haxhiu.
Sipas saj aktivistët po protestonin paqësisht atë ditë për ta mbrojtur vendin e tyre. “Mbledhja e qytetarëve për protestë paqësore është e drejtë universale e garantuar edhe me konventa ndërkombëtare. Prandaj, për vrasjen e Monit dhe Arbenit, nuk do te rreshtim së kërkuari përgjegjësi. Lavdi jetës dhe veprës së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, emrave që përherë do të jenë të gdhendur në pllakën e Kosovës së pavarur! Ne po ecnim drejt atë ditë, ne do ecim drejt gjithmonë!”, ka përfunduar Haxhiu./21Media