Kurti: KFOR-i po na kërkon pak kohë për heqjen e barrikadave

(Lajm i përditësuar)
Kurti: KFOR-i po na kërkon pak kohë për heqjen e barrikadave
Kryeministri Kurti, ka thënë se KFOR-i “po kërkon pak kohë që t’i heq barrikadat”.
Kurti u shpreh se i kërkon edhe njëherë KFOR-it “që të garantojë lëvizjen e lirë e ambient të qetë.
Kurti tha se beson se kjo është rruga më e mirë e mundshme për zgjidhjen e situatës.
“KFOR-i po kërkon pak kohë që shpejt ta kryej këtë punë dhe ne po presim. Nëse pritja jonë për KFOR-in është zbutje, le të quhet zbutje. Por për të mirën e përgjishme, besoj që megjithatë jemi duke e zgjedhur rrugën më të mirë të mundshme. Ne i bëjmë edhe njëherë thirrje KFOR-it që ta garantojë lirinë e lëvizjes. KFOR-i në Kosovë është për një ambient të qetë dhe të sigurtë, i cili nënkupton edhe lirinë e lëvizjes pa dallim. Bllokimi i lëvizjes, bllokimi i rrugëve publike me automjete të rënda për të penguar lirinë e lëvizjes, nga banda kriminale që qëllojnë mbi Policinë tonë e mbi policinë e EULEX-it, jo vetëm që është i papranueshëm, por duhet edhe të jetë i papërsëritshëm kurdoherë në të ardhmen. Andaj ne po presim”, tha Kurti.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se “nuk do të ljeojnë që bandat kriminale të pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Sveçla ka bërë thirrje që “të hiqen barrikadat”.
“Meqë barrikadat e vendosura dje nuk janë hequr ende, i bëj thirrje qytetarëve serbë që të mos bëhen pjesë organizimeve të këtyre grupeve kriminale, ndërsa iu bëj thirrje organizatorëve për largim të menjëhershëm të barrikadave. Ne nuk mund dhe nuk do të lejojmë që bandat kriminale të organizojnë e të pengojnë qarkullimin dhe lëvizjen e lirë të qyetetarëve tanë. Në disa lokacione janë hedhur shok-bomba, ndërsa njësitet policore kanë shkëmbyer zjarr me disa grupe kriminale pas një sërë sulmesh të organizuara nga këto grupe, pranë digës së liqenit të Ujmanit. Pas shkëmbimit të zjarrit situata është vënë nën kontroll dhe është nën vëzhgim shtesë“, ka thënë Sveçla.
Kurti: Serbia nuk po e fsheh që kërkon ta vazhdojë luftën që e humbi
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës ka thënë se “Serbia nuk po e fsheh që kërkon ta vazhdojë luftën që e humbi”.
“Serbia nuk po e fsheh që kërkon rikthim në Kosovë, në esencë kërkon që ta vazhdojë luftën. Luftën që e humbi dhe kapitullimin që e pranoi në Kumanovë në vitin 1999. Mohimi i shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë përbënë kërcënim të vazhdueshëm. Në veri të vendit paqja mbeti përherë e brishtë. Pakoja e Ahtisarit mbeti përherë e dhimbshme përkundër kundërshtimit me protesta popullore. Integrimi i vërtetë i veriut nuk ndodhi as pas shpalljes së pavarësisë e as pas një dekade dialogu. E kemi thënë që nga fillimi që Qeveria është e interesuar për bashkëpunim me të gjithë serbët. Duam që serbët të marrin pozitat që u takojnë. Këto mesazhe i kemi dërguar çdo ditë. Serbia përmes grupeve kriminale dhe duke shfrytëzuar mungesën e ligjit të plotë në veri, po i mbanë peng qytetarët serbë. Për shkak të brishtësisë së situatës, kemi toleruar shtyrjen e veprimeve tona. Ne nuk kemi hequr dorë nga asnjë veprim që kemi marrë. Ne jemi qeveri e paqes që do ta ruajë sigurinë e të gjithë qytetarëve. Militarizimi i Serbisë na ka sjellë në këtë gjendje.”, ka thënë Kurti./21Media

Back to top button