Kurti shfuqizon disa nga vendimet e Haradinajt

Mbledhja e Qeverisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  ka shfuqizuar sot disa nga vendimet që ishin marr nga paraardhësit e tij Ramush Haradinaj dhe Isa Mustafa.

Kabineti i Kurtit ka shfuqizuar edhe vendimin e marrë nga bashkë partneri në koalicion Isa Mustafa të vitit 2015 përmes së cilit ministrat dhe zëvendësministrat përfitonin edhe pas përfundimit të mandatit të tyre. Me këtë vendim ministrat përfitonin për një vit 70 përqind të pagës ndërsa zëvendësministrat për 6 muaj 70 përqind të pagës

Në mbledhjen e sotme të qeverisë u shfuqizua vendimi që kishte marrë Haradinaj në fund të vitit 2017 për rritjen e pagave për vete, por u tha se vendimi nuk ka efekt për uljen e pagave aktuale në sistemin e drejtësisë dhe Gjykatën Kushtetuese.

“Në këtë mbledhje të Qeverisë propozoj që të shfuqizohet i Qeverisë së Republikës së Kosovës nr 4/20 i datës 20 dhjetor 2017 me të cilin janë përcaktuar pagat për të punësuarit e niveleve të ndryshme. Pagat për pozitat e përcaktuara me vendimin e shfuqizuar kthehen në lartësinë e përcaktuar me rregullimin juridik të mëparshëm, duhet cekur se ky vendim nuk ka efekt në uljen e pagave aktuale në sistemin e drejtësisë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu propozoj që të ndryshohet dhe plotësohet pika 2 e vendimit të qeverisë nr 02/59 I datës 17.12.2015 që ka të bëjë me përfitime të ish zyrtarëve pas mbarimit të mandatit të tyre. Obligohet Ministria e Financave dhe Transfereve dhe institucioneve të tjera përkatëse për zbatimi ne këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi në datën e nënshkrimit dhe zbatohet nga data 3 shkurt 2020”, tha Kurti.

Në mbledhjen e sotme ekzekutivi votoi edhe për shkarkimin e Koordinatorit Nacional për Reforma Shtetërore, Koordinatorit Nacional për ndryshime klimatike dhe çështje të ambientit, atij për kulturë rini dhe sport, udhëheqësit të projektit për menaxhimin dhe kontrollin e qeneve endacakë, koordinatorit nacional kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, koordinatorit nacional për integrim dhe anëtarësim në NATO.

Kurti theksoi se tashmë i ka ardhur dorëheqja e shefit të Task Forcës kundër Narkotikëve tek të rinjtë dhe siguri në shkolla, Abdullah Hasani.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria vendosi edhe t’i kërkojë Kuvendit të Kosovës zgjatjen e ndarjeve buxhetore edhe për muajin mars.

Gjithashtu miratoi edhe Komitetin për Partneritet Publiko Privat.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë që ishte e para e rregullt, u ndan edhe 433 mijë euro për sanimin e dëmeve të shkaktuara nga erërat e forta ditë më parë në Pejë dhe Istog.

Me propozim të ministres së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami për riparimin e dëmeve në komunën e Pejës u ndanë 297 mijë euro, ndërsa për komunën e Istogut 136 mijë euro.

Sot Qeveria caktoi edhe Këshillin Organizativ për organizimin e 12 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në këtë Këshill janë emëruar ministri i Mbrojtjes Anton Çuni, ministrja e Administratës së Pushtetit Lokal Emilia Rexhepi, ajo e Arsimit Hykmete Bajrami dhe zëvendëskryeministri i Kosovës Haki Abazi.

Back to top button