Kaloni te përmbajtja kryesore

Kurti: Shkurt e shqip: urime Kërshëndellat dhe Buzmi bujar!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar për Krishtlindjet besimtarët katolikë.Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se kjo datë është një ngjarje dashurie që zgjat vazhdimisht.

“Duke e uruar Krishtlindjen! Teksa po hyjmë në javën e fundit të këtij viti, besimtarët e krishterë e festojnë Krishtlindjen! Urime Krishtlindja besimtarëve të krishterë në vendin tonë: qytetarëve të krishterë të Kosovës dhe banorëve të huaj të krishterë në shtetin tonë.

Lindja e Jezu Krishtit është një ngjarje dashurie që zgjat vazhdimisht, e cila përmbushë vullnetin e Perëndisë sot, tani dhe gjithmonë. Përmbushja e vullnetit të Zotit nuk njeh kalimin e kohës, por mbetet “gjithmonë tani” e përjetësisë. Ata që marrin paqen e Krishtit, vetë bëhen paqebërës dhe pjesëmarrës në lumturinë e Perëndisë.
Lindja e Jezu Krishtit para më shumë se dy mijë vitesh, si ardhje e lajmit të mirë mes njerëzish, përçoftë edhe më tutje çdo ditë fjalën e Perëndisë në zemrat e atyre që besuan. Urime Krishtlindja të gjithë katolikëve dhe protestantëve si dhe urime atyre ortodoksëve që lindjen e Krishtit e festojnë më 25 dhjetor. “, ka shkruar Kurti.

Ai po ashtu ka thënë se kjo festë përkon edhe me festën e Buzmit bujar te shqiptaret.

“Ndër ne shqiptarët, kjo kohë festash përkon edhe me festën e Buzmit bujar, fillimit të zgjatjes së ditës dhe ditëknelljen, që në besimet popullore shqiptare festohet nën ngrohtësinë e zjarrit të vatrave tona. Andaj shkurt e shqip: urime Kërshëndellat dhe Buzmi bujar!

Të bekuar qofshin të gjithë ata që çdo ditë punojnë dhe mundohen për të mirën publike, për mirëqenien e përgjithshme dhe për të ardhmen tonë të përbashkët!”, ka përfunduar Kurti./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button