Kurti: Shteti dhe shoqëria duhet të mbrojë komunitetin LGBTI+

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori pjesë sot në “Paradën e Krenarisë”, të komunitetit LGBTIQI+, e cila u mbajt në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Me këtë rast, kryeministri u shpreh se beson në të drejtat e njeriut dhe se të gjithë duhet të jenë të barabartë dhe se secili duhet të ketë të garantuar të mbrojtur dinjitetin dhe integritetin.

Kurti deklaroi se shteti dhe shoqëria duhet të mësojë për komunitetin LGBTIQI+. Ai potencoi se duhet pranuar e respektuar njerëzit ashtu siç janë.

“Për komunitetin LGBTQIA+ shteti edhe shoqëria duhet t’i mbrojë dhe duhet të mësojë për ta. Me këtë rast u shprehu indinjatën time për numër të madh të abuzimeve, kërcënimeve dhe të diskriminimeve që përjetojnë ky komunitet. Ju e dëgjuat se si në mënyrë krenare bëjnë thirrje për barazi dhe për liri, e aty ku thërrasin për barazi e për liri jom edhe unë si kryeministër, sepse Republika jonë demokratike ndryshe nuk ka kuptim…Ne duhet t’i pranojmë dhe respektojmë njerëzit ashtu siç janë.”, tha Kurti.

I pyetur nëse i kanë votat për Kodin Civil, kryeministri tha se do të bëjnë maksimumin që ky kod të kalojë në Kuvendin e Kosovës.

“Ne do të bëjmë maksimumin që Kodi Civil herën e ardhshme të kalojë suksesshëm në Parlament. Angazhojuni për të drejtat e të gjithë atyre, të cilët përjetojnë diskriminim, kërcënime, sepse shoqëria dhe shteti matet me ata që janë më të cenuar e që duhet t’i mbrojmë.”, shtoi Kurti.

Projektkodi civil nuk ka arritur të kalojë në lexim të parë në Kuvend më 16 mars të vitit 2022

Back to top button