Kurti: Sindikalistëve të PAN-it iu ka ndaluar koha në vitin 2017

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar se këshilli grevist dhe sindikata e arsimit kanë refuzuar të gjitha ofertat që ua ka bërë Qeveria e Kosovës dhe se dëshirojnë që t’ia bëjnë një shërbim PAN-it në opozitë duke e bërë grevën armë kundër qeverisë.
Kurti pasi votoi në kuadër të zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje, ka folur edhe për grevën e përgjithshme në sektorin publik, ku ka kërkuar nga mësimdhënësit të fillojë sa më shpejtë procesi mësimor.
“Duam që mësimi të filloj sa më parë, është dashur që të filloj me një shator. Jam i bindur që nxënësit duhet të shkojnë në shkollë, i bindur që prindërit duan që fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë, jam i bindur që edhe mësimdhënësit duan të japin mësim nëpër shkolla, po ashtu këtë bindje ka edhe Qeveria e Republikës së Kosovës, ne nuk duam që të bojkotohet shteti sepse shkolla është shteti”, tha ai.
Kurti shtoi se nëse në vitet e 90-ta, arsimi ishte para se gjithash rezistencë, sot është mbi të gjitha në zhvillim.
Sipas tij, për herë të parë ka shtuar buxhetin për arsim në vlerë prej 52% më shumë se vitin e kaluar.
“Të gjitha ofertat tona për këshillin grevist dhe për sindikatën e arsimit nuk kanë vlejtur, pra ata kanë refuzuar të gjitha ofertat tona. Në vitin e kaluar ne kemi ofruar mbështetje financiare për mbi 300 milionë euro nëpërmjet pakos për ringjallje ekonomike, ndërkaq në këtë vit, në pranverë u shtuan edhe 200 milionë të tjera, kurse së fundmi, më 3 shtator lansuam edhe pakon e përballjes me inflacion që është me vlerën prej 150 milionë euro. Për t’ua krijuar përshtypjen se sa e madhe është kjo shumë 150 milionë euro është 50% më shumë se sa i gjithë buxheti për mbrojtje dhe ushtri, e që është 52% më shumë në këtë vit sesa në vitin e kaluar”, tha ai.
Ai tha se është për të ardhur keq se si shkollimi në Kosovë po mbahet peng. Sipas tij, e gjithë është nga inati antiqeveritar.
“Është për të ardhur keq se si shkollimi në Kosovës po mbahet peng, për përshtypjen time të fuqishme pas gjitha takimeve që kemi pasur, bëhet fjalë për një lloj inati antiqeveritar. Një kurs kundër qeverisë së progresit dhe shpresës prej sindikalistëve të PAN-it, të cilëve i është ndalur sahati me pesë qershor 2017, dhe tani dëshirojnë që t’ia bëjnë një shërbim PAN-it në opozitë duke e bërë grevën armë kundër qeverisë. Është për të ardhur keq sa shumë po humbin prej inatit qeveritar….. Nga data 15 shtator, pra tani e 10 ditë ndodhet një diskutim publik për ligjin mbi paga. Të gjithë mund ta japin kontributin e tyre duke diskutuar për ligjin mbi paga duke komentuar atë në mënyrë që më në fund ta kemi të rregulluar edhe sektorin publik, me pagë të dinjitetshme por gjithashtu edhe me kompensim të barabartë për punë e kontribute të barabartë”, përfundoi ai.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nga data 25 gusht ka nisur grevën në sektorin publik në vend. Ata po kërkojnë hartim dhe hyrje në fuqi sa më shpejt të Ligjit të pagave, plotësim-ndryshimin e ligjit mbi skemat pensionale dhe pagesë 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave.

Back to top button