Kurti: S’jemi kursyer për ish-krerët e UÇK’së – kontributi më i madh i imi që s’e votova Specialen

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës ka bërë “çfarë ka mundur e ditur, pa rezerva e pa u kursyer”, për ish-krerët e UÇK’së që tha po gjykohen padrejtësisht në Hagë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetes së PDK’së, Ariana Musliu-Shoshit, Kurti tha se kontributi i tij më i madh që ka bërë për këtë çështje si kryeministër, është mosvotimi i ndryshimeve kushtetuese dhe as i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Ai tha se gjatë këtyre 5 viteve e gjysmë, janë ndarë mbi 37 milionë euro për mbrojtjen e tyre.

“Me cka kemi mundur e kemi ditur nuk kemi pas as rezervë e as s’jemi kursyer. Gjatë këtyre 5 vite e gjysmë, gjithsej janë ndarë nga Kosova mbi 37 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve padrejtësisht në Hagë.  Nuk kemi kursyer për t’i mbrojtur me avokatët që janë përzgjedhur prej vetë atyre”, tha Kurti, teksa shtoi se sfiduese ka qenë meqë ata nuk e kanë pasur mbrojtjen e njëjtë, por ekipe të ndara.

Kurti më tej i tha Musliu-Shoshit, që pyetjet që po ia bën atij, t’i marrë nga partia e saj.

“Kontributi më i madh që e kam dhënë për këtë çështje si kryeministër është kur si deputet nuk e kam votuar ndryshimin kushtetues dhe as Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Pra, as me datën 26 qershor e as 3 gusht 2015…Unë do tju kisha sugjeruar që të merrni përgjigje jo nga pyetjet parlamentare, por nga ato brendapartiake”, ka thënë Kurti.

Back to top button