​Deliu-Kodra: Kuvendi nuk është zyre e fushatës së Albin Kurtit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra deklaroi se qeveria po sjell me urgjencë projektligje, sepse i duhen si propagandë elektorale.

Ajo në seancë plenare tha se kohën kur po diskutohen zgjedhjet e reja, qeveria po tenton të kalojë me shpejtësi projektligje.

“Na ndajnë vetëm pak ditë deri në përmbylljen e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Ndërkohë që atë që po e shohim në seancat plenare nga punimet e kuvendit është që qeveria Kurti po bën pikërisht atë që nuk guxon të bëjë. Pra, po sjell ligje me urgjencë artificiale, pa debat publik, pa konsultim real dhe pa respektim të procedurave parlamentare. Të njëjtën gjë e pamë edhe sot para fillimit të seancës, të njëjtën gjë e kemi parë edhe gjatë ditëve të kaluara. Pra, komisionet e kuvendit janë ngulfatur qëllimshëm viteve të fundit me projektligje të cilat kjo qeveri i ka mbajtur në sirtar për vite me radhë. Tash në kohën kur po diskutohet për zgjedhje të reja, qeveria po tenton t’i kalojë me shpejtësi jo pse të njëjtat ligje janë me urgjencë për qytetarët por sepse i duhen si propagandë elektorale”, deklaroi ajo.

Ajo shtoi se kuvendi nuk është zyre e fushatës së kryeministrit Albin Kurti.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk do të pranojë këtë praktikë, ligjet nuk janë pronë e qeverisë, kuvendi nuk është zyre e fushatës së Albin Kurtit dhe qytetarët nuk meritojnë qe vendime të rëndëshme për shtetin të kalohen me nguti, me fshehtësi dhe të kalohen e të shfrytëzohen për kalkulime elektorale”, shtoi ajo.

Back to top button