Kurti: Synojmë të fitojmë në secilën komunë ku jemi në balotazh

Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe kryeministër i Kosovës sot u shpreh i kënaqur me rezultatin e arritur në zgjedhjet lokale.
Në një konferencë për media, Kurti tha se është i kënaqur që ky subjekt ka kaq shumë kandidatë në balotazh.
“Njësoj siç jam i kënaqur me nivelin e lartë të besimit të dhënë asambleistëve tanë gjithandej Kosovës”, tha ai.
Kurti theksoi se do të jetë i gatshëm t’u qëndrojë pranë dhe punojë me secilin kryetarë komune, me të cilin ndanë vlera demokratike dhe është i gatshëm të bëjë punën e vështirë e reformave të thella, shkruan rtv21.tv
“Nuk e kemi luksin për asgjë më pak. Urime të gjithë kandidatëve. Mund t’ju them qysh tash se kjo është një festë e madhe e demokracisë si zgjedhje, dhe politikës si shërbim. Poashtu më duhet t’ju them se kandidatët e Vetëvendosjes do të jenë gjithandej duke u angazhuar për secilën votë në vijim. Nuk e kemi luksin për asgjë më pak”, theksoi ai.
Tutje, Kurti tha se subjektin që ai drejton synon të fitojë në secilën komunë ku është në balotazh.
“Pavarësisht rezultatit, ne kemi synuar e dëshiruar më shumë, por megjithatë jemi të kënaqur me atë që kemi arritur”, tha Kurti.
Ndryshe, në zgjedhjet e mbajtura dje në Kosovë, 17 komuna kanë zgjedhur kryetarin e tyre për 4 vjetët e ardhshme, ndërsa 21 komuna kanë shkuar në balotazh. Lëvizja Vetëvendosje ka shkuar në balotazh në 12 komuna.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), është bërë e ditur se pjesëmarrja në zgjedhjet lokale ka qenë rreth 42.50%./21Media

Back to top button