Kurti takohet me drejtorin rajonal të BERZH-it, Matteo Colangeli

Pas nënshkrimit të marrëveshjes në mes të Ministrisë së Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Mitrovicë, kryeministri Kurti ka pritur sot në takim drejtorin Rajonal të BERZH për Ballkanin Perëndimor, Matteo Colangeli.
Kurti e ka falënderuar BERZH-in për nënshkrimin e marrëveshjes, duke e cilësuar si shumë të rëndësishme në përmirësimin e infrastrukturës, ndërsa Colangeli tha se BERZH-i është i vendosur për të rritur shkallën e mbështetjes në Kosovë në fushat me interes të përbashkët sikurse ajo e mjedisit dhe energjisë.
Me këtë rast, Kurti e ka njoftuar Colangeli për hartimin e Strategjisë së Energjisë e cila përveç dekarbonizimin deri në vitin 2050, për vizion ka edhe pastrimin e ajrit dhe që të ruajë sigurinë e furnizimit me energji dhe përballueshmërinë për konsumatorët.
Siç bëhet e ditur në komunikatë gjatë takimit u bisedua edhe për mundësitë dhe format e bashkëpunimit me sektorin privat në shërbim të rritjes së kapaciteteve të tyre.
Kurti e ka përmendur synimin dhe planet e qeverisë për sistemin dual të arsimit, si zgjidhja drejt zvogëlimit të hendekut në mes të aftësive profesionale dhe tregut të punës.
“Kjo do të mundësonte rritjen e produktivitetit brenda sektorit privat dhe rrjedhimisht gjenerimin e vendeve të reja të punës, si një nga prioritetet e qeverisë sonë”, ka thënë Kurti.
Ai po ashtu ai ka folur edhe për reagimin pozitiv të ekonomisë gjatë qeverisjes së tij, me ç’rast të hyrat janë rritur për 1/3-tën, eksportet janë rritur për 2/3-tën, ndërsa sipas vlerësimit të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia do të rritet 9.9%./21Media

Back to top button