Kurti në Greqi takon ish-kryeministrin grek

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot gjithashtu takoi ish-kryeministrin grek, njëherësh presidentin e nderit të Internacionales Socialiste dhe aktualisht kryetarin e Lëvizjes së Socialistëve Demokrat, George Papandreou.

Sipas një komunikate të Qeverisë, me Papandreou, kryeministri Kurti pati një mëngjes pune gjatë të cilit u diskutua rreth bashkëpunimit bilateral në rritje ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, zhvillimeve të fundit në Kosovë, rajon dhe kontinentin e Evropës.

Kryeministri Kurti po qëndron në Delphi të Greqisë ku po merr pjesë në forumin vjetor ekonomik.

Kurti takohet me kryediplomatin grek, flasin për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe dialogun me Serbinë

Në ditën e dytë të pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik në Delphi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.

Siç bëhet e ditur në komunikatë, marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Greqisë dhe mënyrat se si ato mund të avancohen më tej, veçanërisht në rrafshin ekonomik, teksa shkëmbimet tregtare dhe investimet e huaja kanë shënuar rritje viteve të fundit, ishin pjesë qendrore e takimit.

Kryeministri Kurti falënderoi ministrin Dendias dhe shtetin e Greqisë për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në proceset integruese.

“Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend, rezultatet dhe rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës të dielën e javës së kaluar, nevojën për zbatim të plotë, pa vonesa dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit me Serbinë dhe për pritjet e takimit të nivelit të lartë politik me 2 maj në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.”, thuhet në njoftim.

Takimi i sotëm i kryeministrit Kurti me ministrin Dendias ishte i dhjeti në dy vite. Muajin e kaluar, ministri grek Dendias kishte vizituar Kosovën. Ajo ishte vizita e tij e gjashtë zyrtare në Kosovë./21Media

Back to top button