Kurti takohet me përfaqësuesit e komunitetit kroat në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me përfaqësuesit e komunitetit kroat në Kosovë më 21 nëntor.
Sic bëhet e ditur në njoftim për media nga Zyra e Kyreministrit përfaqësuesit e komunitetit kroat thanë se kanë nevojë për mbështetje infrastrukturore në Janjevë, fshat në komunën e Lipjanit ku përveç kroatëve, jetojnë edhe shqiptarë, turq dhe romë.
“Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë për të punuar në sigurimin e kushteve sa më të mira për komunitetin kroat në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Në takim, përfaqësuesit e komunitetit kroat dhe ata të ekzekutivit kanë diskutuar edhe për punën e Qeverisë në zbatimin e plotë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve “në mënyrë që komunitetet joshumicë të kenë qasje në komunikimet prej qeverisë”.
Komuniteti kroat nuk njihet me Kushtetutën e Kosovës, pra pjesëtarët e tij nuk kanë të drejta të garantuara si komunitetet tjera pakicë dhe as përfaqësues të tyre në institucione.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, gjuhë zyrtare janë gjuha shqipe dhe ajo serbe.
Megjithatë sipas ligjeve në Kosovë, komunitetet joshumicë, mund të përdorin gjuhën e tyre amtare në lokalitetet ku ata janë shumica e popullsisë./21Media