Kurti takohet me shefin e Kryqit të Kuq

Kryeministri, Albin Kurti gjatë një takimi sot me shefin e Misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Kosovë, Agim Gashi, ka ritheksuar përkushtimin e Qeverisë për avancimin e politikave institucionale, përmes të cilave do të ketë trajtim meritor për familjet e të zhdukurve me dhunë, duke pasur prioritet ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve dhe vendosjen e drejtësisë.
Po ashtu, Kurti falënderoi Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për përkrahjen e vazhdueshme dhënë Qeverisë së Kosovës dhe në veçanti për mbështetjen e familjeve të personave të pagjetur.
Mes çështjeve të diskutuara ishte edhe data-baza e shqiptarëve të arrestuar në Serbi si dhe domosdoshmëria e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për reformën e burgjeve në Kosovë.
Në takim të pranishëm ishin edhe Martina Fava, kryesuese e Grupit Punues për Persona të Zhdukur, Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës dhe anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, si dhe Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, njëherësh kryetar i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur në kuadër të grupit punues për persona të zhdukur.

Back to top button