Kurti takoi ministren e Malit të Zi: Të angazhohemi për bashkëpunim në ekonomi e shkëmbim tregtar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Çështjeve Evropiane të Qeverisë së Malit të Zi, Jovana Marović, të dy pjesëmarrës në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që po mbahet këtë fundjavë në Prishtinë, zhvilluan një takim pune në margjinat e Forumit.
Në herën e saj të parë në Prishtinë, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Çështjeve Evropiane të Qeverisë së Malit të Zi, Jovana Marović u shpreh mirënjohëse për mikpritjen, duke konfirmuar marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe dypalëshe ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës.
Si një nga vendet e rajonit me të cilin ndahen interesa të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta dhe orientim dhe përkushtim për integrim të plotë evropian, siç informoi sot Zyra e Kryeministrit, Kurti tha se krahas mbështetjes për njëra-tjetrin, duhet të angazhohen për bashkëpunim edhe më të thellë me njëri-tjetrin, sidomos në fushën e ekonomisë dhe shkëmbimit tregtar.
“Në takim u fol edhe për fillimin e ri të Procesit të Berlinit dhe rolit të tij në rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe për rëndësinë e rreshtimit të Republikës së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi me botën demokratike në vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse pas agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikueshëm mbi shtetin e Ukrainës dhe popullit ukrainas.​”, u bë e ditur në komunikatë./21Media

Back to top button