Kurti takoi profesionistët shqiptarë në Michigan

Në kuadër të vizitës në Michigan, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pjesë e dialogut me mërgatën, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar bashkatdhetarët që punojnë në këtë shtet.
Kurti vlerësoi kontributin e mërgatës në shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështjen e Kosovës, për ndihmën në financimin e sistemit shëndetësor dhe arsimor në vitet e ’90-ta, pasuar me luftën çlirimtare të vitit 1999 dhe me përpjekjet për rindërtim të pasluftës.
Duke vlerësuar rolin e mërgatës, kryeministri theksoi se në programin qeverisës mërgata llogaritet si pjesë thelbësore e zhvillimit të qëndrueshëm të Republikës së Kosovës.
Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media ka njoftuar se u bisedua edhe për mundësitë dhe potencialin për zhvillim të partneritetit dhe thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe transferim të dijes dhe përvojës nga mërgata në Kosovë, gjë që synohet të arrihet nëpërmjet dialogut me mërgatën./21Media

Back to top button