Kurti takoi shpëtimtarët e Kosovës që ndihmuan në Turqi: Kultivoni vullnetarizmin në shoqëri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot, në 15-vjetorin e pavarësisë priti ekipin e Shoqatës së Kosovës për Kërkim Shpëtim (SHKKSH) që ka operuar për pesë ditë radhazi në ndihmë të autoriteteve turke në operacione të kërkim-shpëtimit pas tërmetit shkatërrues të 6 shkurtit në Turqi.
Ekipi i SHKKSH, siç bëri të ditur zyra e kryeministrit, e njoftoi Kurtin për veprimet dhe përvojat individuale dhe ekipore të ekipit gjatë zhvillimit të operacionit të kërkim shpëtimit në lokacionin Hataya, një nga zonat më të goditura dhe më të dëmtuara nga tërmeti.
Kryeministri Kurti e përgëzoi ekipin për punën dhe suksesin e treguar gjatë operacionit në Turqi dhe i inkurajoi ata të vazhdojnë të kultivojnë frymën e vullnetarizmit, jo vetëm në organizatë, por edhe në shoqëri.
Ndërsa, kryetari i Shoqatës, Mahir Hasani e falënderoi kryeministrin që pavarësisht angazhimeve për festën e pavarësisë, gjeti kohë të mirëpres dhe takojë ekipin e SHKSHK.
Në këtë takim, Kurti u shoqërua nga Kolonel Ejup Maqedonci, oficer i FSK me përvojë të gjatë në fushën e kërkim shpëtimit.
Ekipi kosovar i kërkim shpëtimit gjatë ditëve sa ka operuar në zonën e Hataya, u ka shpëtoi jetën e dy vajzave, njërës 3-vjeçare dhe tjetrës 26-vjeçare.
Autoritetet turke dhe ekipet tjera ndërkombëtare kanë vlerësuar lart profesionalizimin dhe vetëmohimin e treguar të ekipit të SHKKSH gjatë kryerjes së operacioneve të kërkim-shpëtimit.
Shoqata e Kosovës për Kërkim Shpëtim është një organizatë vullnetare që njihet për aktivitete të ndryshme të kërkimit dhe shpëtimit në mbështetje të institucioneve të Kosovës. Gjatë qëndrimin në Turqi, ata kanë bashkëpunuar ngushtë me kontingjentin e FSK-së atje, i cili po vazhdon angazhimin e tyre në ndihmë të institucioneve turke./21Media

Back to top button