Kurti takon drejtuesit e fondacionit BESA, flasin për sistemin dual të arsimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci u takua sot me kryetarin e Fondacionit BESA, Anton Krasniqi dhe nënkryetarin e këtij fondacioni, Ilir Seferi.
Ky takim vjen pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet ministrisë së Arsimit, Shkencën, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Fondacionit BESA me seli në Gjermani. Kurti u njoftua për sfidat aktuale, veprimet e ndërmarra në kuadër të këtij bashkëpunimi dhe për hapat e mëtejmë drejt inicimit të arsimit dual në vend.
Nga ana e tij, Krasniqi e informoi kryeministrin për profilet potenciale që mund të përfshihen në kuadër të arsimit dual dhe për bashkëpunimin që ky fondacion ka arritur me odat dhe përfaqësitë e bizneseve në Kosovë.
Në takim u diskutua për përgatitjet finale që institucionet po bëjnë për të filluar në shtator të këtij viti me pilotimin e tre profileve të para në kuadër të arsimit dual, atë të floktarit, kuzhinierit dhe asistentit në restorant. U theksua rëndësia e angazhimit të institucioneve në promovimin e këtyre profileve te nxënësit dhe bizneset si dhe në vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë./21Media

Back to top button