Kurti takon ish-ministrin Scharping, e quan mik të moçëm të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim ish-ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë, Rudolf Scharping me të cilin ka biseduar mbi marrëdhëniet midis dy shteteve dhe avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit.
Kurti shprehu kënaqësinë që takoi, siç tha ai, “një mik dhe një aleat të moçëm të Kosovës dhe të popullit tonë”. Ai e falënderoi dhe i shprehu mirënjohjen Scharping për kontributin e dhënë në luftën për çlirimin e Kosovës dhe mbështetjen e vazhdueshme para dhe pas shpalljes së pavarësisë.
Rudolf Scharping ka qenë ministër i Mbrojtjes në vitet 1998-2002. Ai ka udhëhequr me forcat e armatosura të Gjermanisë gjatë fushatës ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe.
Scharping i cilësonte sulmet ajrore legjitime dhe ndërhyrje humanitare për të shpëtuar shqiptarët nga dëbimi i dhunshëm dhe spastrimi etnik i Kosovës që po e zbatonte regjimi i Serbisë.
Për masakrat e forcave serbe kundër popullatës shqiptare Scharping ka shkruar librin “Nuk guxojmë të shikojmë mënjanë: Lufta e Kosovës dhe Evropa”./21Media

Back to top button