Kurti: Të jemi të bashkuar të çojmë në vend amanetin e dëshmorëve e heronjve 

“Janari është muaji i dhembjes në historinë shqiptare”, kështu e filloi fjalën e tij, kryeministri Albin Kurti në Akademinë e Flakës 2022 në kuadër të 31-vjetorit të manifestimit kombëtar të kulturës “Flaka e Janarit”. Ai përmendi vdekjen e heroit kombëtar Skënderbeut më 1468, vrasjen e Isa Boletinit 1916, vdekjen e Ismail Qemajlit 1919, rënien e Rexhep Malës e Nuhi Berishës 1984, masakrën e Reçakut 1999, që të gjitha kishin ngjarë në muajin janar.
Por ,Flaka e Janarit, është jo vetëm përkujtimi i dhembjes për humbjen e heronjve tanë në luftën për liri, por njëherit është edhe drita e flakës që ndriçon rrugën e brezit tonë dhe brezave që do të vijnë për një të ardhme të ndritur të Atdheut tonë, tha kryeministri Kurti.
“Si pasardhës të gjeneratave të tëra të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në trojet shqiptare, vazhdimisht marrim energji nga zjarri i mbajtur ndezur me jetën, veprën dhe vdekjen e tyre nga Gjon Sereçi, Metush Krasniqi e i madhi Adem Demaçi me shokë dhe shumë prijatarëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, marrim dritë nga Flaka e Janarit të Jusufit, Kadriut, Bardhoshit, Rexhepit, Nuhiut, Zijahut, Bajramit, Afrimit, Fadilit e mijëra veprimtarëve të rënë në epoka të ndryshme deri te Lufta Çlirimtare e Adem Jasharit dhe UÇK-së dhe mijëra dëshmorëve të rënë për Lirinë e Kosovës”, shtoi më tej ai, informoi Zyra e Kryeministrit.
Kurti tha se amaneti i Rilindësve se vetëm bashkimi i penave dhe pushkëve e sjell lirinë e popullit, për herë të parë u realizua në trojet shqiptare nga Jusufi, Kadriu e Bardhoshi me shokë.
“Bashkë me përkujtimin për Jusufin, Kadriun dhe Bardhoshin, sot dhe përgjithmonë, kujtojmë dhe nderojmë të gjithë ato bija e bij, gra e burra, vajza e djem, që me jetën e tyre e mbajtën të ndezur flakën e Lirisë ndër shekuj.  Ne duhet të mësojmë nga jeta, vepra dhe betimi i tyre për atdheun, prandaj të gjithë qytetarë të thjeshtë dhe bartës të funksioneve shtetërore, duhet të jemi të bashkuar të çojmë në vend amanetin e dëshmorëve dhe heronjve tanë”, tha në fund kryeministri Kurti.
Më pas, kryeministri Kurti, i shoqëruar nga Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyeni vizitoi edhe ekspozitën kolektive të artit pamor në kuadër të manifestimit kombëtar të kulturës “Flaka e Janarit”./21Media

Back to top button