Kurti: Të punojmë për idealet e Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Adem Jasharit

(Lajm i përditësuar)


Në shënim të 111-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përkrah Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, mori pjesë në ceremoninë shtetërore të ngritjes së flamurit dhe bëri homazhe në “Sheshin e Flamurit” në Vlorë.

Kurti ua uroi të gjithë shqiptarëve 28 Nëntorin, këtë festë të madhe të flamurit e të lirisë, të pavarësisë e të bashkimit për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, kudo që janë në Ballkan, e në mërgatë, në botë.

Teksa theksoi se sot është ditë pushimi dhe feste, ai nga qyteti i Vlorës tha se çdo ditë tjetër duhet të punojmë për idealet dhe synimet e Skënderbeut nga Kruja, të Ismail Qemalit nga Vlora, e të Adem Jasharit nga Prekazi.

“Dje kishim ditën e ushtrisë së Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, dhe për shkak se të gjithë këto aktivitet nuk mund t’i vendosim në një ditë, do të vazhdojmë edhe nesër me ngjarje të ndryshme kulturore, artistike për nder të 28 Nëntorit, kësaj date themeltare të identitetit kombëtar shqiptar”, tha ai.


Kurti e Rama bëhen bashkë në shënimin e 28 Nëntorit në Vlorë

Ceremonia e ngritjes së flamurit në 111-vjetorin e pavarësisë në Vlorë, ka bërë bashkë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe homologun e tij Albin Kurti.

Në këtë ceremoni, të pranishëm ishin edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe kreu i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha.

Pjesë e kësaj ceremonie ishte ngritja e flamurit dhe vendosja e kurorave tek busti i Ismail Qemailit.

Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemaili ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.

Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar.

Back to top button