Kurti: Terrori i 11 shtatorit më shumë bashkoi sesa që ndryshoi botën

 

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kujtuar sulmin terrorist që u bë në Kullat Binjake në SHBA 19 vjet më parë.

Kurti ka shkruar se që nga viti 2001, në ditën e 11 shtatorit kujtohen përherë me dhimbje e solidaritet familjet e të vrarëve dhe mbarë kombin amerikan.

Veç kësaj ai tha se “Terrori i 11 shtatorit la vrragë të thellë, por, më shumë bashkoi sesa që ndryshoi botën”.

“Që nga viti 2001, në ditën e 11 shtatorit, kujtojmë e nderojmë, me dhembje e solidaritet, familjet e të vrarëve dhe mbarë kombin amerikan. 2977 viktimat e pafajshme dhe mijëra të tjerë të plagosur e të lënduar janë pasoja e paharrueshme e terrorizmit i cili kurrë nuk mund të ngadhënjejë. Në mesin e viktimave ishin edhe tre shqiptarë, që u bënë shprehje shtesë e afërsisë shqiptaro-amerikane, në çdo rrethanë dhe kohë. Terrori i 11 shtatorit la vrragë të thellë, por, më shumë bashkoi sesa që ndryshoi botën. Kullat Binjake nuk janë më, por Kulla e Lirisë, edhe më e lartë, është aty tani”, ka shkruar ai.

Sulmi ndaj Kullave Binjake ishte kryer më 11 shtator 2001 nga një grup prej 19 vetash rrëmbyes radikal, 15 prej tyre ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani. Në këtë sulm terrorist humbën jetën 2977 viktimat e pafajshme dhe 19 terroristët e Al-Kaidës./21Media

Back to top button