Kurti thirrje serbëve që t’i marrin tabelat RKS: Tabelat KM, PZ tabela të kohës së Millosheviqit

(Lajm i përditësuar)
Kurti thirrje serbëve që t’i marrin tabelat RKS: Tabelat KM, PZ etj, tabela të kohës së Millosheviqit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha sot se afati i fundit për qytetarët serbë për kthimin e tabelave në RKS, është 31 tetori.
“Ne tashmë e kemi shtyrë njëherë afatin, pra afati është deri më 31 tetor. Edhe Beogradi, në bazë të zotimeve që i ka dhënë në Bruksel, në kohën e qeverive kur unë kryeministër nuk isha, ka premtuar që pas mesit të janarit të vitit 2018 as nuk do të prodhohen e as qarkullojnë ato tabelat me qytetet e Kosovës që janë trashëgimi për nga mënyra e regjimit të Millosheviqit”, tha Kurti.
Kurti u bëri thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që t’i konvertojnë targat në ato të Republikës së Kosovës, siç kanë bërë shumica dërmuese.
“Janë më pak se 10 mijë vetura me tabela të regjistrimit KM, PE, PZ, DJ, UR, GL, e kështu me radhë”, tha Kurti.
“Ndërkaq edhe te letërnjoftimet janë 135 mijë letërnjoftime të Republikës së Kosovës që i posedojnë qytetarët serbë këtu në Kosovë. Vetëm 2 mijë deri në 5 mijë prej tyre refuzojnë ta bëjnë këtë. Pra nuk bëhet fjalë për një qëndrim të serbëve në Kosovë, por për një insistim politik të një pakice ekstremiste. Edhe kjo nuk është reale, meqenëse ka struktura ilegale të cilat e bëjnë një trysni të tillë dhe serbët në Kosovë fatkeqësisht nuk janë të lirë për shkak të këtyre strukturave”, tha Kurti, duke shtuar se është kryeministër i të gjithëve.
“Masat që i ndërmarrim janë për sundim të ligjit dhe drejtësi, për funksionim të shtetit e jo për inat të ndokujt”, përfundoi Kurti.

Kurti: Qëndrimin për Specialen e kam thënë në vitin 2015, nuk kam qëndrim të ri

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se qëndrimin e tij për Gjykatën Speciale e ka shprehur në vitin 2015 dhe se nuk ka qëndrime të reja për këtë çështje.
“Sa i përket Dhomave të Specializuara, brengën e shqetësimin dhe kritikën e kundërshtimin tim, e kam thënë qysh në pranverën dhe verën e vitit 2015, kur u patën përgatitur amandamentimet kushtetuese… Nuk kam qëndrime të reja për këtë çështje. Mund të them që dhomat e specializuara nuk janë karakterizuar nga transparenca, pra s’mund të lavdërohen për transparencë dhe kemi rastin që dy vjet kemi mbajtje në paraburgim pa një datë gjykimi. Faktorët ndërkombëtarë duhet të mobilizohen që krimet e kryera nga Serbia në Kosovë, të ndiqen e fajtorët të gjykohen e dënohen”, ka deklaruar Kurti në konferencën për media, ku u shfaq me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Ai tha se s’mund të flitet për luftën pa i adresuar krimet e luftës në Kosovë.
“Në Kosovë ka ndodhur gjenocidi, të cilin NATO-ja e ka ndalur me intervenim. Nuk mund të flasësh për luftën pa e adresuar krimin e Serbisë në Kosovë”, tha Kurti.
Kurti: Shëndetësia në Kosovë nuk është aq zi siç po sulmohet
Kryeministri Albin Kurti tha se ministrat e linjës në Qeverinë e Kosovë do të japin më në hollësi vlerësimet e tyre për raportin e progresit, i cili sipas tij, ka treguar se Kosova ka shënuar progres në periudhën një vjeçare.
“Ministrat do të tregojnë se si i konsiderojnë këto të gjetura dhe vlerësime”, tha Kurti në konferencën për media, ku u shfaq me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog
“Unë nuk kam thënë se ish-ministri Latifi ka reflektuar, unë kam thënë se ai ka kontribuar me aq sa ka mundur e ditur duke mos kursyer as përvojën e as kontaktet e tij”, tha Kurti kur u pyet se përse nuk tha asgjë për sektorin e shëndetësisë, për të gjeturat apo zhvillimet që ka bërë qeverisa e tij.
“Tash kemi një ushtruese të detyrës së ministres, dhe natyrisht se MSH-ja do të jap vlerësimet e saj. Nuk themi se është gjendja e mirë, po nuk është as një fushë në të cilën mund të njollosen mjekët e infermierët me lehtësi, duke thënë se nuk ofrojnë shërbime cilësore ose janë aq të mirë sa që e lëshojnë vendin”, tha Kurti.
Ai theksoi se në sektorin e shëndetësisë “nuk është situatë e tillë e zezë siç sulmohet”
“Nuk ka projekte e punë që ish-ministri Latifi i ka nisur e unë nuk jam pajtuar”, theksoi Kurti.
Kurti: Kemi filluar përgatitjet për të aplikuar për marrjen e statusit kandidat në BE
Kurti në konferencë për media së bashku me shefin e zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se Kosova ka filluar përgatitjet për të aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Kemi filluar përgatitjet për ta dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Bashkim Evropian si hap i parë e me synim marrjen e statusit kandidat”, tha Kurti.

Kurti: Vendi ka shënuar progres në shumë fusha
Në konferencën për media, pasi ai iu dorëzua Raporti i Progresi nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, Kurti tha se raporti njeh përparimet e bëra nën Qeverinë që ai drejton.

“Ky është raporti i parë që përfshin periudhën e plotë 1-vjeçare te qeverisjes sonë. Vendi ynë ka shënuar progres në shume fusha gjatë vitit që shkoi pavarësisht krizave. Raporti e përgëzoi Kosovën për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë politike”, tha Kurti.
Kurti pranoi Raportin e Progresit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka pranuar sot Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Komisioni Evropian ka publikuar Raportin për Kosovën për vitin 2022. Në të, në gjetjet kryesore është kritikuar Kuvendi i Kosovës për menaxhim të dobët të agjendës legjislative ndërsa për dialogun me Serbinë është vlerësuar se në dialogun me Serbinë duhet të tregohet më shumë konstruktivitet e se marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht e obligueshme është urgjente e kyçe për t’ua mundësuar dy shteteve avancimin në rrugën drejt Evropës./21Media

Back to top button