Kurti thotë se Kosova ka diçka që vendet e rajonit nuk e kanë

Vizioni ynë afatgjatë është të bëjmë Kosovën vendin më prosperues në rajonin e Ballkanit Perëndimor, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në shënim të 18 vjetorit të themelimit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Ai theksoi se Kosova ka diçka që vendet e rajonit nuk e kanë, dhe ajo është komuniteti i fortë i biznesit nga mërgata jonë, sidomos në Amerikë dhe vendet gjermano-folëse.
“Si Qeveri, dhe në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane dhe odat tjera, synojmë të krijojmë politika dhe ambient të të bërit biznes që mundëson rritje të hovshme dhe të qëndrueshme të Investimeve të Huaja Direkte, eksportit, konkurrueshmërisë së kompanive vendore, startupeve, si dhe infrastrukturës që mundëson rritjen e këtyre të mësipërmeve”, tha kryeministri Kurti.
Ai theksoi se sektori privat është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të vendit tonë, ndërsa pjesën më të madhe të ekosistemit të sektorit privat e përbëjnë Investitorët e Huaj Direkt dhe kompanitë më konkurruese të vendit.
“Përveç specialistëve sektorial dhe lidhjeve me tregje, jemi duke e shqyrtuar mundësinë e rekrutimit të atasheve ekonomikë për mbi 20 vende të ndryshme në botë, roli i të cilëve do të jetë të krijojnë lista të investitorëve prospektiv, t’i sjellin në Kosovë dhe pastaj do të jetë roli ynë i përbashkët, i Qeverisë dhe odave, që t’i bindim të investojnë këtu, tha kryeministri. Ai theksoi domosdoshmërinë e zhvillimit të një të ashtuquajtur harte të vetme të konsoliduar investive për tërë Kosovën”, tha ndër tjera Kurti./21Media

Back to top button