Kurti thotë se në Symi Simpozium u trajtua edhe demokracia e ligji në Ballkan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në Symi Simpoziumin e sivjetmë, i cili u mbajt në Kretë të Greqisë.
Ai thotë se titulli i simpoziumit të kësaj radhe ishte “Cila botë në vitin 2030? Trajtimi i Sindromës Icarus?”.
Kurti përmes një postimi në “Facebook” thotë se “në panele të veçanta me prezantime të mençura e diskutime të thella sipas Chatham House Rules po trajtohen tema e çështje të shumta: nga agresioni rus i papërfunduar në Ukrainë te pasojat e pamatshme të pandemisë Covid-19, nga demokracia dhe ligji në Ballkanin Perëndimor te siguria dhe burimet në Mesdheun Lindor, nga rritja ekonomike e gjelbër te përshpejtimi i Inteligjencës Artificiale, nga autonomia industriale evropiane te raporti i Evropës dhe ShBA-ve me Jugun Global, nga demokracia pjesëmarrëse dhe fushatat politike te një humanizëm i ri për shoqëri të pavdekshme”.
Ndërkaq, kryeministri tregoi se ka qenë ai, bashkë me ish-kryeministrin grek, George Papandreou hapësit e dy paneleve për Ballkanin.
“Në bashkëbisedimin me ish Kryeministrin e Greqisë, George Papandreou që shërbeu si hapje për dy panelet dedikuar Ballkanit, tregova për të arriturat e Kosovës dhe planet e qeverisë sonë, për zhvillimin dhe reformat, për Fondin Sovran dhe Arsimin Profesional, për drejtësinë sociale e ligjore dhe për historinë e luftës në të tashmen e paqes, për të kaluarën time prej aktivisti e opozitari te fqinjësia e mirë e Kosovës që refuzohet nga Serbia”, tha më tej Kurti.
Në fund, ai tha se “filli që përvijohej në debate e shqyrtime anonte kah guximi i përbashkët teksa ëndërrojmë të ardhmen me numra jubilarë vitesh, si dhe mbetej te shpresa gjersa të gjithë shqyrtojmë rreziqet e mundshme në vijim”.
Ndër të tjera, Kurti i ka bërë edhe një historiat këtij simpoziumi.
“I nisur në vitin 1998 në ishullin Symi të Greqisë, që prej atëherë ka qarkulluar nëpër ishuj të ndryshëm duke mbledhur bashkë politikanë demokratë e diplomatë progresistë nga mbarë bota, filozofë, teoricienë, dhe ekspertë të njohur ndërkombëtarisht, aktivistë udhëheqës të organizatave civile e menaxherë të lartë të korporatave që afirmojnë përgjegjësinë shoqërore”, deklaroi kreu i ekzekutivit kosovar.
NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?