Kurti: Lirohen katër nga pesë policët e ndaluar në Serbi

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sipas informacioneve të fundit, katër zyrtarë policorë të Kosovës, që po mbaheshin në Rashkë të Serbisë, janë liruar dhe i ndaluar vazhdon të mbetet vetëm zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se zyrtarët policorë ishin ndaluar në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Merdarë, Dheu i Bardhë e Jarinjë, si dhe në një pikëkalim kufitar mes Serbisë dhe Kroacisë.

“Zëvendësdrejtori i policisë vazhdon të mbahet në burg në Serbi”, tha Kurti, duke iu referuar Jankoviqit.


Kurti tregon emrat e zyrtarëve të policisë që janë arrestuar dje nga Serbia

Gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë, Kryeministri Albin Kurti, tha se Serbia është hakmarrë kundër qytetarëve të Kosovës, duke i keqtrajtuar nëpër pikat kufitare veçse deshën ta përdorin territorin serb si tranzit.

Kurti, duke ua zbuluar emrat, tha se ende pesë policë të Kosovës janë duke u mbajtur nga Serbia.

“Dje në ndalim kanë qenë gjithsej 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, serbë dhe shqiptarë, që janë ndaluar në pikëkalimet kufitare në Merdarë, Jarinjë dhe Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë. Pesë nga ta janë liruar, ndërkaq pesë ndodhën akoma në mbajtje, duke përfshirë edhe Jankoviq. Por aty janë edhe Sinisha Miliq, Zoran Marinkoviq, Boban Simeunoviq dhe Ramiz Ibrahimi”.


Ndalimi i policëve dhe qytetarëve në Serbi, Kurti: Kjo gjë u paralajmërua nga Vuçiqi

Ndalimi i pesë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga autoritetet serbe që u bë gjatë ditës së djeshme, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti  tha se është rezultat i suksesit të Kosovës në Asamblenë Parlamentar në KiE dhe si një hakmarrje intensive u bë kjo përndjekje e ky ndalim në masë.

“Ata janë ndaluar si rezultat i një konference për media të cilën e pati të shtunën që shkoi presidenti i Serbisë, ku ai tha që në javën që vjen Serbia ku do që ushtron pushtet dhe kontroll efektiv, do të filloj që të hakmerret. Andaj edhe ajo çfarë po ndodh në këtë javë është paralajmëruar të shtunën nga presidenti i Serbisë”, tha Kurti  pas homazheve në varrezat e dëshmorëve në Velani për nder të Ditës së Dëshmorëve të Prishtinës

Përveç policëve që janë ndaluar, Serbia gjatë ditës së djeshme me orë të tëra ka maltretuar edhe qindra qytetarë të tjerë nga Kosova që ishin nisur me autobusë drejt vendeve të Evropës.

Back to top button