Kurti tregon historik të marrëdhënieve Kosovë-Austri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar një historik të marrëdhënieve Kosovë -Austri.
Dje në Kosovë erdhi kancelari austrik, Karl Nehammer, i cili është falenderuar nga Kurti për mbështetjen e Austrisë dhe ndihmën e dhënë para dhe gjatë luftës në Kosovë.
”Austria ishte rreze shprese për ne gjatë okupimit dhe apartheidit”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë i Albin Kurtit:
Isha i nderuar ta mirëpres në kryeministri, Kancelarin Federal të Republikës së Austrisë, z.Karl Nehammer.
E falënderova kancelarin Nehammer për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë dhe ndihmën e dhënë para dhe gjatë luftës në Kosovë. Austria ishte rreze shprese për ne gjatë okupimit dhe apartheidit.
E para ua hapi dyert nxënësve dhe studentëve shqiptarë të Kosovës, të cilëve u mohohej e drejta e studimit në objektet legjitime arsimore. Ishte edhe ndër shtetet e para që e njohu pavarësinë, e që nga atëherë investimet e Austrisë në Kosovë kapin vlerën prej 287 milionë euro.
E njoftova kancelarin për punën e Qeverisë sonë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe për ndikimet pozitive që reformat kanë pasur e vazhdojnë të kenë në performancën e ekonomisë së Kosovës.
Potencova rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe përshpejtimit të agjendës së integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Biseduam për situatën e re politike të krijuar pas agresionit dhe invazionit rus në Ukrainë dhe nevojën për ruajtjen e paqes e stabilitetit afatgjatë në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Vizita e djeshme dhe takimet miqësore rikonfirmuan marrëdhëniet tradicionalisht të mira mes dy vendeve tona.
Dy popuj, me kulturë të vjetër e me të përbashkëta historike zhvilluan marrëdhëniet përgjatë shekujve dhe do t’i zhvillojnë edhe më tej falë interesave të përbashkëta.
Kryeqyteti austriak ishte qendër ku lanë gjurmë shumë figura arti e shkence që ishin me origjinë shqiptare apo të tjerë që u morën me historinë, kulturën e gjuhësinë shqiptare.
Studiues e intelektualë që vepruan e formësuan aspiratat e dy popujve si: Johan Georg von Hahn, konsull i Austrisë në Janinë më 1847, themelues i Albanologjisë; Carl Patsch, ilirolog dhe udhëheqës i themelimit të Muzeut Kombëtar të Shqipërisë; Maximilian Lambertz, studiues me kontribut të madh në albanologji dhe folklorin shqiptar; albanologët e mirënjohur Hermann Ölberg, Gustav Meyer dhe Norbert Jokl. Gjuhëtari i madh shqiptar, Eqrem Çabej ishte student i Norbert Joklit.
Gjergj Pekmezi themeloi Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Vjenës, që mban edhe emrin e tij. Ai dhe shkrimtari ynë Hilë Mosi ishin themeluesit e Shoqatës “Dija”, në Austri, më 1904.
Po në Vjenë, saktësisht në Muzeun e Historisë së Artit, ruhen armët origjinale të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Personalitetet austriake me origjinë shqiptare, arkitekti i famshëm Karl Gega dhe aktori i jashtëzakonshëm i teatrit Aleksandër Moisiu, janë vlerat tona të përbashkëta me të cilat krenohet bota e civilizuar.
Interesimi dhe përkrahja e personaliteteve dhe diplomatëve austriakë për shqiptarët dhe përpjekjet e luftërat e tyre për çlirim e shtetndërtim nuk u ndalën asnjëherë.
Aktivistja e të drejtave të njeriut, Christine von Cohl, gazetare, shkrimtare dhe eksperte e Ballkanit, e cila vepronte në Vjenë, ishte përkrahësja e pakursyer e të drejtës së shqiptarëve të Kosovës për liri e demokraci. Ajo mbahet mend veçanërisht për artikujt dhe librat e saj mbi shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet 1990.
Shqiptarët do t’i kujtojnë me respekt kontributin dhe mbështetjen e miqve austriakë Franz Vranitzky, ish kancelar i Austrisë, Alois Mock, ish-zëvendëskancelar, Albert Rohan, ish ndërmjetësuesi në bisedimet për Kosovën dhe ish-zëvendës kancelari Erhard Busek, i cili vdiq para pak ditëve. Për humbjen e tij i shpreha dje ngushëllimet më të sinqerta kancelarit Nehammer./21Media

Back to top button