Kurti tregon me kë mund të bëjë koalicion pas zgjedhor VV
Kurti foli për koalicionin e mundshëm me PDK-në
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti duke besuar në fitoren e partisë së tij, ka treguar se me kë do të bëjnë koalicion pas zgjedhjeve të 11 qershorit.
“Më datë 9 qershor në orën 21:00 në sheshin “Skënderbeu” ne e konfirmojmë fitoren tonë. Më datë 11 qershor me komisionarët dhe vëzhguesit tonë ne e mbrojmë fitoren tonë. Me datën 12 qershor do ta festojmë fitoren tonë, ndërkaq me datën 13 qershor përfundimisht do të dihet çka ka mbetur prej këtyre koalicioneve dhe mandej ne do ta marrim një partner të vogël në qeverisje”, ka thënë Kurti, shkruan rtv21.tv
Sipas tij, VV do të marr partner në koalicion në mënyrë që të kalojë për mbi 60 deputetë që do ta votojnë qeverinë e ardhshme.
“ Ne nuk mendojmë që PDK-ja e tillë siç është, të jetë ajo e cila do të mund të na bashkohej neve”, ka shtuar Kurti.
Kurti thotë se do të befasohen të gjithë nga ajo se çfarë do të ngjajë me partitë e koalicioneve pasi të mbyllen vendvotimet./21Media