Kurti u prit nga ambasadorë të shteteve anëtare në Këshillin e Evropës

Në përfundim të ditës së parë nga vizita në Strasbourg, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prit nga mbi 30 ambasadorë të shteteve anëtare në Këshillin e Evropës.

Në komunikatën nga zyra e kryeministrit thuhet se në fjalën e tij, Kurti foli mbi progresin dhe zhvillimin e Kosovës në demokratizimin e vendit, rritjen ekonomike, sundim të ligjit e drejtësi.

“Kosova ka bërë hapa të mëdhenj drejt demokratizimit dhe zhvillimit ekonomik, tregues të së cilës janë indekset dhe rankimet ndërkombëtare që faktojnë se Kosova është një histori suksesi e demokracisë cilësore dhe zhvillimit ekonomik”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti foli dhe mbi aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës. “Republika e Kosovës ndan të njëjtat vlera dhe parime me Këshillin e Evropës, të cilat janë të mishëruara edhe në Kushtetutën e Republikës”.

Ai i falënderoi vendet anëtare për mbështetjen e deritanishme dhe kërkoi nga to vazhdimin e saj për të avancuar tutje në këtë proces deri në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës./21Media

Back to top button