Kurti u takua me Kancelarin e Austrisë, Alexander Schallenberg
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot është mirëpritur në rezidencën e Kancelarisë Federale të Austrisë nga Alexander Schallenberg, me ç’rast kanë zhvilluar takim bilateral.
Kurti e ka uruar kancelarin Schallenberg për detyrën dhe përgjegjësinë e re si Kancelar dhe ka theksuar gatishmërinë e tij dhe të Republikës së Kosovës për të vazhduar raportet tejet të mira me Austrinë.
Siç ka informuar Zyra e Kryeministrit, Kurti e ka përmendur edhe rritjen e pashembullt ekonomike që po e përjeton Kosova që nga paslufta e që sipas tij, këtë vit parashihet të jetë 9,9% dhe për angazhimin e qeverisë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gjatë takimit është diskutuar për mundësitë e rritjes së investimeve austriake në Kosovë dhe është dakorduar që në shërbim të kësaj gjatë vitit të ardhshëm të organizohet Samiti Ekonomik në Kosovë.
Ndërsa, Kancelari austriak e ka dhënë mbështetjen e plotë në lidhje me liberalizimin e vizave dhe ka thënë se Austria i qëndron pranë Kosovës dhe e mbështetë atë në procesin e integrimeve evropiane./21Media