Kaloni te përmbajtja kryesore

Prokuroria del me detaje të reja për vrasjen e imamit në Dragash – arrestohet edhe babai i të dyshuarit

(Lajm i përditësuar)


Vrasja e imamit në Dragash, Prokuroria: Janë arrestuar i dyshuari dhe babai i tij

Prokuroria Themelore në Prizren, është deklaruar lidhur me vrasjen në fshatin Zlipotok, të Dragashit, ku mes tjerash thuhet se, janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të kësaj çështjeje penale.

Në komunikatë shtohet se, i dyshuari B.H., është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, dhe, po ashtu është ndaluar për 48 orë edhe babai i tij, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Mosdhënia e ndihmës”.

”Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), në Prishtinë. Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke vazhduar hetimet intensive për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje”, thuhet në reagim.

Komunikata e plotë:
Prizren, 30 Qershor 2026 – Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, informon opinionin publik se në fshatin Zlipotok, Komuna e Dragashit, ka ndodhur një rast i vrasjes së rëndë.
Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, më 29 qershor 2026, rreth orës 23:15, Policia e Kosovës është njoftuar për një rast të vrasjes në fshatin Zlipotok, Komuna e Dragashit. Viktima, i cili ishte imam i fshatit, është privuar nga jeta me mjet të mprehtë (thikë). Vdekja e viktimës është konstatuar nga mjeku në vendin e ngjarjes.
Pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes ka dalë prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime të Rënda, e cila, në bashkëpunim të ngushtë me Sektorin e Hetimeve Rajonale dhe njësitë tjera relevante të Policisë së Kosovës, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të kësaj çështjeje penale.
I dyshuari B.H., pas kryerjes së veprës penale, fillimisht ishte në arrati, mirëpo si rezultat i veprimeve intensive operativo-hetimore të Policisë së Kosovës është lokalizuar dhe arrestuar.
Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari B.H., është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu, është ndaluar për 48 orë edhe babai i tij, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Mosdhënia e ndihmës”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), në Prishtinë.
Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke vazhduar hetimet intensive për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje.
Brenda afatit ligjor, Prokuroria do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.

Arrestohet i dyshuari për vrasjen e imamit në Dragash

Është arrestuar i dyshuari për rastin e vrasjes në fshatin Zlipotok të Dragashit.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Bytyqi ka bëri të ditur se pas veprimeve intensive operative-hetimore të ndërmarra pa ndërprerje, njësitet policore kanë arritur të lokalizojnë dhe arrestojnë personin e dyshuar për përfshirje në këtë rast.

“Pas veprimeve intensive operativo-hetimore të ndërmarra pa ndërprerje nga Policia e Kosovës, është arritur të lokalizohet dhe të arrestohet i dyshuari për rastin e vrasjes në fshatin Zlipotok, Dragash. Në operacionin për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit janë angazhuar njësi të ndryshme policore, duke përfshirë përdorimin e dronit për vëzhgim nga ajri, si dhe njësinë policore me qen (K-9). I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor, ku ndaj tij do të vazhdojnë procedurat e mëtejme hetimore në koordinim me prokurorin përgjegjës”, tha Bytyqi.


Viktima në Dragash dyshohet se ishte imam – detaje nga rasti në Zlipotok

Personi që u vra mbrëmë në fshatin Zlipotok të Dragashit dyshohet se ishe imam në këtë komunë.

Autoritetet nuk e kanë konfirmuar ende identitetin e viktimës, por burime të KosovaPress thonë se bëhet fjalë për hoxhën G.T.

Rasti ku humbi jetën ai ishte raportuar të hënën rreth orës 23:15 në polici, me telefon. Fillimisht ishte thënë se në fshatin Zlipotok, komuna e Dragashit, kishte ndodhur një rrahje mes disa personave.

Burime nga policia kanë thënë se me arritjen në vendin e ngjarjes, patrulla e forcave të rendit ka gjetur një person të shtrirë në tokë. Dyshimet e para ishin se atij I ishin shkaktuar lëndime me një mjet të mprehtë.

“Pas arritjes së ekipit mjekësor nga QKMF Dragash, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës, G.T., mashkull rreth 47-vjeçar nga Zlipotoku i Dragashit”, thuhet në një raport të policisë.

I dyshuari, gjithnjë sipas forcave të rendit, është identifikuar si B.H., mashkull 40-vjeçar nga Zlipotoku. I njëjti ndodhet në arrati, ndërsa që nga mbrëmja e kaluar policia, sic ka thënë, është duke ndërmarrë veprime intensive për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të Stacionit Policor në Dragash, komandanti i stacionit, si dhe është njoftuar Njësia Rajonale e Hetimeve në Prizren, të cilës më vonë i janë bashkuar edhe njësi të tjera policore. Hetimet janë duke u zhvilluar në koordinim me prokurorin e shtetit ndërsa rasti është inicuar si “Vrasje e rëndë”.


Vritet një person në Dragash, i dyshuari në arrati

Në fshatin Zlipotok të komunës së Dragashit është raportuar një rast i rëndë, ku fillimisht ka ndodhur një rrahje mes disa personave.

Sipas informacioneve zyrtare, si pasojë e përleshjes viktima mashkull shtetas i Kosovës ka pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë.

Ai është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Dragash, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.

Ndërkohë, i dyshuari mashkull shtetas i Kosovës është në arrati dhe është duke u kërkuar nga organet e rendit.

Policia dhe prokuroria kompetente janë duke hetuar rrethanat e rastit.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button