Pritet të thellohet bashkëpunimi mes Kosovës dhe Bankës Botërore

(Lajm i përditësuar)


Në margjina të samitit të Procesit të Berlinit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, takoi zëvendëspresidenten për Evropë të Bankës Botërore, Antonella Bassani.

Kurti theksoi se Banka Botërore ka qenë dhe është një nga partnerët tanë kryesorë të zhvillimit dhe ne presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë edhe në të ardhmen.

Ai e falënderoi Bassanin për mbështetjen e palëkundur gjatë këtyre viteve, për të siguruar një rrugë të qëndrueshme dhe të drejtë zhvillimi për Kosovën.

Më tej, u bisedua mbi agjendën tonë të zhvillimit pavarësisht sfidave të vazhdueshme me të cilat po përballet rajoni e Evropa.

Palët biseduan mbi thellimin e bashkëpunimit ekonomik në rajon për të hequr pengesa për tregtinë rajonale, si dhe për bashkëpunim të shtuar edhe në projekte të modernizimit të pagesave. U theksua dhe kalimi në pagesa elektronike e cila do të mundësonte më shumë transaksione ekonomike.

Bassani vlerësoi pozitivisht avancimin e Kosovës sa i përket digjitalizimit dhe se vendi ynë është tashmë model për progresin e shpejtë në këtë sektor.


Kurti u takua me Kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman

Në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili mbahet sot në Tiranë, kryeministri ii Kosovës, Albin Kurti, takoi paraprakisht Kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth.

Sipas një komunikate për media nga zyra e kryeministrit bëhet e ditur se gjatë takimit u diskutua rreth situatës aktuale në vend dhe procesin e dialogut.

“Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kryeministri Kurti u shpreh se ai nuk mund të vazhdojë sikurse të mos ketë ndodhur asgjë. Kapitulli i ardhshëm i dialogut për normalizim duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë përmes sulmit terrorist të 24 shtatorit, për të cilin ka dëshmi e fakte të mjaftueshme për përfshirjen e Serbisë. Qasja në proces duhet të jetë e balancuar, të respektohet dhe zbatohet në plotni Marrëveshja Bazike dhe aneksi i saj. Serbia të zmbrapset nga refuzimi publik dhe faktik i pjesëve të Marrëveshjes Bazike të cilat kanë të bëjnë me njohjen de-facto të Kosovës dhe integritetin tonë territorial. Më tej, u bisedua edhe rreth rrugëtimit e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.


Kurti pritet nga Rama në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka arritur në samitin e Procesit të Berlinit i cili po mbahet në Tiranë.

Kurti është pritur nga homologu i tij shqiptar, Edi Rama.

Kurti nuk ka pranuar të deklarohet për media para nisjes së punimeve.

Back to top button