Kurti uron kryeministren e Britanisë dhe e fton për vizitë në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër urim Liz Truss, me rastin e emërimit si Kryeministre e Mbretërisë së Bashkuar.
Në letrën e urimit Kurti i ka përmendur sfidat më të cilat po përballet kontinenti.
“Kërkojnë një përgjigje të koordinuar dhe unë ndihem i lehtësuar nga vizioni i qartë, që e theksuat në dy takimet tona në fillim të këtij viti, ka shkruar kryeministri Kurti.
Tutje Kurti i ka përmednur edhe pasojat e pandemisë e luftën në Ukrainë
“Ndërsa përballemi me pasojat e pandemisë Covid-19, krizën e energjisë dhe koston e rritur të jetesës, së bashku me autoritarizmin në rritje dhe agresionin e paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, ne presim me padurim udhëheqjen tuaj për ta ndihmuar Evropën dhe pjesën tjetër të botës të navigojnë nëpër këto kohë të vështira. Ju lutem, të jeni e sigurt se, teksa e bëni këtë, mund të mbështeteni në partneritetin, bashkëpunimin dhe solidaritetin e Kosovës”, ka shkruar më tej kryeministri.
Ai ka shprehur mirënjohjen e Republikës së Kosovës për mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar në luftën çlirimtare kundër një regjimi gjenocidal.
“Mbretëria e Bashkuar zë një vend të veçantë në zemrat dhe mendjet e popullit të Kosovës, sepse ju na mbështetët në luftën tonë çlirimtare kundër një regjimi gjenocidal. Nuk do të harrojmë kurrë; dhe u jemi përgjithmonë mirënjohës.”, vijon letra.
Në përmbyllje të letër urimit, kryeministri Kurti ka ftuar kryeministren Truss për vizitë në Kosovë, në mundësinë e parë të përshtatshme për të.
“Kryeministre, kam nderin të ju mirëpres në Kosovë në mundësinë e parë që është e përshtatshme për ju. Ju lutem, pranoni urimet e mia më të përzemërta dhe konsideratën time më të lartë ndërsa merrni këtë rol vendimtar në këto kohë sfiduese.”, ka shkruar Kurti. /21Media

Back to top button