Kurti uron Pashkët: Qoftë kjo Pashkë, e bardhë e mbarë për familjet e të gjithë besimtarëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar besimtarët katolikë e protestantë me rastin Pashkëve.
“Sonte, besimtarët katolikë e protestantë anekënd botës, e bashkë me ta dhe besimtarët shqiptarë, përgatiten të kremtojnë agimin e ringjalljes dhe dritës, dashurisë dhe shpresës. Pashkën e madhe”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka thënë se fuqia e dashurisë për njeriun dhe shpresa për të janë sot më shumë se kurrë të thirrura për të na e përmbushur sprovën.
“Qoftë kjo Pashkë, e bardhë e mbarë për familjet e të gjithë besimtarëve. Na bëftë më të fortë për t’i duruar mundimet e për ta ndihmuar njëri-tjetrin. Këto vite i kaluam të sfiduar nga pandemia e vështirësitë. E tani një popull i madh në kontinentin tonë po përjeton luftën e pushtimin, krimet dhe tmerrin e masakrave. Qofshin këto kremtime edhe lavd për dashurinë e qëndrueshmërinë e madhe të ukrainasve për atdheun e tyre, lirinë dhe demokracinë aty dhe në të gjithë Evropën”, ka thënë Kurti.
Më tej, Kurti uroi për durim, për t’ia dalë mbanë të gjithë bashkë, e më së shumti me ata që e kanë nevojën për ndihmë. “Ngase me mesazhin e mirësisë dhe ringjalljes, vjen shpresa se pas errësirës lind drita e pas dëshpërimit çel gëzimi”.
“Urime Pashka, siç thotë ungjilli kënduar në shqip – “Jezusi, pasi i deshi të tijtë që ishin në botë, i deshi deri në fund të fundit”, – nga Gjon Buzuku ynë shkruar në Meshar: Gjithë popullsinë e krishtenë ndër Arbanit ata n’mortajet largo, ty të lusmë. O Zot!”, ka shkruar Kurti në Facebook./21Media

Back to top button