Kurti uron Ramën për mandatin e tretë, e fton për vizitë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama me rastin e zgjedhjes për herë të tretë kryeministër i Shqipërisë.
Kurti shprehi gatishmërinë e tij të plotë dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimit tregtar dhe integrimin e tregut, duke hequr barrierat mes shqiptarëve.
Gjithashtu, theksoi se se ky mandat i tretë është po ashtu mundësi e tretë për të realizuar projekte të cilat kaherë priten nga shqiptarët në të dy anët e kufirit.
Ndër të tjera, kryeministri Kurti i uroi suksese gjatë mandatit qeverisës dhe e ftoi Kryeministrin Rama të vizitojë Kosovën për të diskutuar rreth përgatitjeve për mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive.
“Unë jam me shpresë se në këtë mandat Shqipëria do të shoh progres të gjithanshëm. Së bashku mund të punojmë në avancimin e parimeve demokratike, në luftimin e krimit dhe korrupsionit, të evazionit fiskal e informalitetit në të dy anët e kufirit dhe të angazhohemi për më shumë drejtësi dhe të drejta e për më shumë barazi e mirëqenie për shqiptarët në gjithë rajonin. Kosova dhe qytetarët e saj i gëzohen tej mase zhvillimit dhe progresit të Shqipërisë të cilën e kanë përherë në mendje dhe zemër. Në Shqipëri, Kosova dhe shqiptarët kudo në rajon e në botë shohin më shumë se përkrahësin e natyrshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe zhvillimit të gjithmbarshëm të tyre”, ka thënë Kurti./21Media

Back to top button