Kurti: Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit

andidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se është fitues i zgjedhjeve, duke shtuar se nga rezultatet preliminare tregojnë se populli i Kosovës e ka mundur edhe Serbinë.
Kurti para simpatizantëve ka theksuar se procesi zgjedhor ka shkuar pa incidente. Ndërsa ka thënë se do t’i vazhdojnë zotimet e tyre në të mirën e vendit.
Kurti nuk la pa thumbuar partitë opozitare. Siç tha ai, “edhe t’i bëjmë bashkë Pydykyhin dhe Lydykyhin nuk bëjnë sa Vetëvendosja jonë”.
“Nuk i kemi ende rezultatet përfundimtare, por rezultatet preliminare tregojnë një gjë të vërtetë, saktë, të qartë. LVV është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025…Procesi zgjedhor ka qenë proces demokratik i cili nuk ka pasur incidente, falënderoj policët dhe mekanizmat shtetërorë. Ne do t’i vazhdojmë punët e mira që kemi nisur në këtë katërvjeçar dhe do të bëjmë edhe shumë të tjera në përputhje me të gjitha zotimet tona, në jug e veri, në lindje e perëndim, cep më cep Republikës tonë për të gjithë qytetarët pa lënë asnjërin mbrapa. Ajo që dihet nga rezultatet preliminare është se edhe t’i bëjmë bashkë Pydykihin dhe Lydykihin nuk bëjnë sa Vetëvendosja jonë. Rezultatet preliminare kanë treguar edhe diçka shumë të vlefshme për politikën dhe historinë, kjo është që populli i Kosovës e ka mundur edhe Serbinë edhe Klan Serbinë”, tha Kurti.
KQZ-ja po vazhdon numërimin e votave për zgjedhjet e sotme parlamentare.
Deri në orën 23:23 janë numëruar 73.04 për qind e votave nga 1.850 vendvotime nga gjithsej 2.533 sosh.
Lëvizja Vetëvendosje prin me 41.99 për qind ose 258 mijë e 020 vota. Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 22.68 për qind ose 139 mijë e 357 vota. Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta 17.90 për qind ose 109 mijë e 986 vota.
Koalicioni AAK-NISMA-Konservatorët-Intelektualët 7.56 për qind ose 46 mijë e 434 vota. Lista Serbe 2.98 për qind ose 18 mijë e 313.