Kurti vizitoi Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në Divjakë

 
Në shënim të 22- vjetorit të çlirimit të Kosovës, tri institucionet më të larta të shtetit, organizuan manifestimin në nderim të luftës çlirimtare, në Divjakë, te Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shtabi i Përgjithshëm në Divjakë ishte baza e parë e UÇK-së e cila mirëpriti oficerët e parë të NATO-s, kur ata zbarkuan nga ajri qysh më 10 qershor 1999, që shënon një moment historik të miqësisë dhe bashkëpunimit me NATO-n.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se datën 12 qershor e kujtojmë gjithmonë, dhe krenohemi përherë që për lirinë e Kosovës organizuam luftën çlirimtare duke fituar jo vetëm lirinë e shumëpritur,  por edhe miqësinë dhe mbështetjen e NATO-s me të cilët u rreshtuam drejt dhe dolëm fitimtarë
“Në këtë ditë dhe në vazhdimësi i kujtojmë dhe nuk do t’i harrojmë, heronjtë dhe dëshmorët, luftëtarët dhe patriotët e të gjithë brezave e të të gjitha kohërave, të cilët na mundësuan që ne sot të gëzojmë lirinë”, tha ai.
Në këtë manifestim të organizuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Kryeministri Albin Kurti, të pranishëm ishin edhe ministra të Qeverisë së Kosovës, deputetë të Kuvendit të Kosovës, luftëtarë të UÇK-së, veteranë e invalidë të luftës çlirimtare të Kosovës, të burgosur politik dhe familjarë të dëshmorëve./21Media

Back to top button