​Kurti viziton Institutin francez: Është një urë e re midis Kosovës dhe Francës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci kanë vizituar Institutin francez. Ata u pritën nga ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver, ku panë nga afër aktivitetet që bëhen në këtë institut.

Kryeministri Albin Kurti, tha se ky instituti është një urë e re midis Kosovës dhe Francës dhe dritare e jashtëzakonshme për mësimin e gjuhës frënge dhe artin e kulturën franceze.

Ai u zotua se do të vizitojë sërish këtë institut dhe se do të mësojë gjuhën frënge.

“Mësimi i gjuhës frënge është një përparësi shumë e madhe. Të gjithë ata të cilët pëlqejnë letërsinë franceze, dëgjojnë muzikë franceze, që shkojnë filma francez është mirë të dinë edhe frëngjisht. Unë inkurajoj zyrtarët publik të shtetit tonë, por edhe studentët, profesorët dhe ndërmarrësit që të konsiderojnë vizitën në Institutin Francez dhe mësimin e gjuhës frënge këtu. Është një dritare e jashtëzakonshme për kulmin e cilësisë së artit dhe kulturës. Instituti francez në Kosovë në kuadër të ambasadës franceze është një urë e re midis Kosovës dhe Francez, midis gjuhëve tona dhe midis njerëzve tanë. Unë këtu do të rikthehem pasi kush vjen një herë e ka të pamundur të mos kthehet sërish”, tha ai.

Ndërsa, ambasadori francez, Olivier Guerot tha se instituti thellon bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fushën e kulturës dhe të artit.

“Ajo që po bëjmë sot është nisja e kurseve të gjuhës dhe këtë kemi dashur t’ia tregojmë kryeministrit. Instituti është duke bërë tre gjëra, është partner për bashkëpunim, kemi një program gjysmë milion euro për shembull me festivalin e filmit në ‘Antibar’, po bën edhe aktivitete kulturore dhe do të bëjë kurse gjuhësore duke filluar nga mesi i shtatorit, dhe kjo është arsyeja e kësaj që po ndodhë”, theksoi ambasadori Guerot.

Kryeministri Albin Kurti, por as ambasadori francez Guerot nuk pranuan të flasin për tema të tjera politike, përfshirë urën e Ibrit, si dhe mbylljen e strukturave paralele serbe në veri.

Instituti Francez është inauguruar në mars të vitit 2024.

Back to top button