Kurti viziton policin e plagosur, mbledh Këshillin e Sigurisë

Polici i plagosur Alban Rashiti është operuar me sukses në Klinikën e Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ku i është hequr predha nga krahërori i majtë.
Policin e plagosur i cili po trajtohet në QKUK e vizitoi edhe kryeministri, Albin Kurti.
“Operacioni i heqjes së predhës nga kraharori i majtë i policit Alban Rashiti është kryer me sukses sot në mëngjes. Predha ishte e një granate dore që e hodhën kriminelët e orkestruar nga Serbia në drejtim të policisë së Kosovës gjatë sulmit të tyre terrorist afër urës në Banjskë të Zveçanit. Gjatë vizitës në Klinikën Kirurgjike të QKUK-së takova edhe familjen e Albanit e cila erdhi nga Velekinca e Gjilanit”, shkroi Kurti.
Polici i plagosur Alban Rashiti do të lirohet sot nga spitali.
Kreu i qeverisë bëri me dije se nga ora 10:00, do të mblidhet Këshilli i Sigurisë, shkaku i zhvillimeve në veri ku edhe u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.