Kurti vizitoi QKUK-në

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka vizituar Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK). Ai është pritur nga ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu Raçi.
Në takim kanë qenë edhe ushtruesja e detyrës së ministres të Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku, zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, kryetarja e bordit të SHSKUK-së, Aida Rexhepi, si dhe drejtori i Njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së, Musa Vitija.
Pas takimit Kurti ka folur edhe për djegien e veturës së drejtorit të njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së. Sipas tij, edhe pse dy herë ia kanë djegur veturën ai prapë ka dalë sot në punë, kryeministri e falënderoi atë për përkushtimin.
“Një herë me 19 gusht dhe pastaj sërish me 7 tetor iu dogj vetura Drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së, Musa Vitija. Pas një pune intensive të tij janë gjetur shkelje të shumta të dokumentuara në raport përkatës. Dy kompanitë, “Security Code”, përgjegjëse për sigurimin fizik dhe “Quantic”, përgjegjëse për mbikëqyrjen e kamerave kanë dështuar në kryerjen e punës së tyre. E para, sepse për herë të dytë nuk ka arritur të ofroj sigurinë e veturës së z. Vitija, kurse tjetra edhe pas dy jave nuk ka arritur t’i rikthej në funksion kamerat e sigurisë të cilat janë të dëmtuara nga “vetëtima””, tha ai.
Ai tha se të korruptuarit dhe kriminelët zjarrvënës e kanë vendin në burg, e jo jashtë tij ku lirinë e përdorin si mundësi për të përsëritur krimin.
Vizita e Kurtit në QKUK, ndodhë vetëm disa ditë pas dorëheqjes nga detyra e ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifit. Latifi ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Shëndetësisë të enjten e javës së kaluar./21Media
 

Back to top button