Osmani në takim me Munsch: Kosova e përkushtuar për bashkëpunim me NATO-n dhe KFOR-in

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim admiralin Stuart B. Munsch, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Kosovë dhe rajon.
Në takim me admiralin Munsch, Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara për bashkëpunim me NATO-n dhe KFOR-in, kundër rreziqeve të sigurisë, si dhe për të kontribuar në mënyrë të suksesshme për paqe dhe siguri në tërë territorin e Kosovës.
Presidentja e njoftoi admiralin Munsch se Forca e Sigurisë së Kosovës është në tranzicion dhe po zhvillohet profesionalisht në përputhje me standardet e NATO-s. Ajo ka theksuar se FSK-ja i mundëson Kosovës të bëhet një kontribuuese aktiv në kuadër të sigurisë rajonale dhe globale.
Në raport me agresionin e Rusisë në Ukrainë, Presidentja ka theksuar se Kosova është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së kundër Rusisë./21Media

Back to top button