Kurti: Vuçiq e refuzoi ofertën time bujare për Asociacionin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka refuzuar ofertën që ia ka bërë “për vetëmenaxhim të serbëve të Kosovës”, në një asociacion që do ta hartonte dhe propozonte vetë kryeministri i Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter, Kurti e ka shtruar pyetjen se a është Vuçiq një “Doktor Jo apo Zotëri Jo”(nga Rusishtja Nyet, )”?, teksa ka theksuar se të paktën e di se nuk është mjek.

“Pas refuzimit që të nënshkruante Marrëveshjen më 27 shkurt dhe para se të refuzonte të nënshkruante sërish më 18 mars aneksin, presidenti i Serbisë refuzoi edhe ofertën time bujare për vetëmenaxhimin e serbëve të Kosovës, në një asociacion që unë do të hartoja dhe propozoja. A është ai Dr. No apo Z. Nyet? E dimë që ai nuk është mjek”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Ndryshe, më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, pas më shumë se 12 orë negociatash mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është arritur marrëveshje mbi Aneksin e implementimit të Planit evropian për dialogun, por pa nënshkrim të palëve. Megjithatë, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë se marrëveshja dhe aneksi për zbatimin e saj konsiderohen të aprovuara./21Media

Back to top button