Kurti-Vuçiq në Bruksel për Planin e Rritjes dhe ulje tensionesh

Një takim i nivelit të lartë, Kurti-Vuçiq, i thirrur nga BE-ja në mesjavën e ardhshme, vlerësohet të mos shmangë temat që kanë dominuar prej muajsh ne marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë, përfshirë atë të Asociacionit. Një agjendë e takimit nuk është bërë ende publike, por BE pritet që të kërkojë nga palët angazhim konkret në dialog për të përfituar nga një Plan i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Kur Kurti dhe Vuçiq të ulen përballë njeri-tjetrit, pas muajsh refuzimesh, përballja e tyre do të mund të përcaktojë edhe përfitimet që mund t’i kenë të dyja vendet në rrugën e tyre evropiane dhe qasjen në një buxhet te caktuar.
Takimi ende nuk e ka një agjendë të qartë publike dhe Bashkimi Evropian pritet ta bëjë atë në fillim javën e ardhshme.
Brukseli dërgoi gjatë javës në Prishtinë dhe Beograd, të dërguarin e saj, me një mandat të zgjatur, Miroslav Lajçak, i cili vuri në tavoline edhe çështjen e Planit të Rritjes të BE-së, një prej buxheteve më të mëdha dedikuar Ballkanit, me një shumë prej 6 miliardë eurosh. Por, Lajçak iu tha zyrtarëve ne Prishtinë dhe Beograd se përfitimi nga ky plan për të dyja vendet kalon përmes normalizimit të marrëdhënieve dhe angazhimit konkret ne zbatimin e marreveshjeve.
“Për Kosovën dhe Serbinë ndarja e mjeteve është e kushtëzuar me angazhimin konstruktiv në dialog. Në këtë mes unë jam ai qe duhet të jap vlerësimin për përparimin dhe prandaj kam diskutuar se si do të arrijmë deri tek një vlerësim pozitiv”, tha ai.
Sipas planit, Kosova mund të përfitojë rreth 900 milionë euro ndërkaq Serbia rreth 1.7 miliardë Euro, nëse të dyja vendet tregojnë angazhim konkret.
Mund të jetë se takimi i mesjavës së ardhshme në Bruksel mund të hap rrugën si hapi i parë i rëndësishëm, thonë ekspertët, drejt uljes së tensioneve dhe përkushtimit për zbatim të marrëveshjeve.
Takimi vjen pas një angazhimi edhe të diplomatëve perëndimorë dhe posaçërisht atyre nga Gjermania, te cilët kanë intensifikuar perpjekjet e tyre për të shtyrë palët të normalizojnë marrëdhëniet. Kurti e Vuçiq takohen pas disa muajsh refuzimi për t’u ulur në tavolinë dhe pas rritjes së tensioneve në vecanti në veri të Kosovës dhe refuzimit të Kosovës për të themeluar një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe. Këto çështje, thanë ekspertët e fushës, do të jenë gjithsesi ne tavolinë në Bruksel, por nuk është ende e qartë nëse do të ketë një përparim posaçërisht në çështjen e Asociacionit nga Kosova dhe në njohjen de-facto të Kosovës nga Serbia./RTV21/21Media