Kurti zhvillon biseda telefonike me emisarin britanik dhe diplomatin amerikan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar bisedë telefonike me të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.
Kurti ka bërë të ditur se me Peach ka biseduar për takimet në Bruksel dhe rëndësinë për një marrëveshje me njohje reciproke.
“Para diskutimeve në Bruksel, pata një telefonatë produktive me të dërguarin special e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, duke theksuar nevojën për një marrëveshje të përqendruar në njohjen e ndërsjellë dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Kurti ka zhvilluar bisedë telefonike edhe me këshilltarin special të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
“Telefonatë e frytshme për shumë çështje duke përfshirë dialogun me Serbinë, duke theksuar rëndësinë e një marrëveshjeje të përqendruar në njohjen reciproke. Ai përcolli përshëndetjet e sekretarit Blinken pas takimit tonë të mrekullueshëm në DC muajin e kaluar”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 18 gusht do të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian./21Media

Back to top button