Kusari-Lila mohon komunikimin me Radojçiqin, arsyeton atë me Simiqin

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka folur lidhur me përgjimet e publikuara në media për një komunikim me Igor Simiqin e Listës Serbe.

Kusari-Lila mohon se ka komunikuar me Radoiçiqin, ndërsa për Simiqin thotë se takimet kanë qenë për punë parlamentare

Deputetja Kusari-Lila deklaroi se përgjimet e dala në media lidhur me një bisedë me Slavko Simiq janë përpjekje për të sulmuar pozitën, porse sipas saj një gjë e tillë nuk do të arrihet.

Kusari – Lila për KosovaPress tha se për Milan Radojçiqin, duke e quajtur atë edhe kriminel, tha se asnjëherë nuk e ka takuar fizikisht.

“Këtë e vlerësoj si një përpjekje të dështuar par të sulmuar pozitën, në këtë rast edhe pozitën parlamentare, por gjithashtu edhe qeverinë, kur në realitet është krejtësisht e kundërta e asaj çfarë po mundohet të tregohet. 15 muaj ka që Lista Serbe nuk është në Kuvendin e Kosovës. Ata, fakti që nuk kanë gjetur hapësirë bashkëpunimi dhe nuk ka qenë Qeveria Kurti në asnjë mënyrë e varur nga ata e tregon edhe mungesën e tyre. Këta që janë mësuar të kenë marrëveshje, negociata që i kanë pritur me orë të tëra për t’i votuar qeveritë tashmë dalin dhe flasin për këtë temë thuajse në formën se si këta po mundohen ta prezantojnë ka shkaktuar ndryshim në realitet. Realiteti sot është i pakthyeshëm… Sot nuk ka hapësirë më në Republikën e Kosovës për kriminel të tipit të Radojçiqit apo edhe të tjerëve dhe gjithë kjo përpjekje për të shënuar në shenjë barazimi midis veprimeve të tyre dikur dhe përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë për sovranitet dhe integritet në tërë territorin pa dallim e tregon sa të dëshpëruar dhe sa pa asnjë kauzë kanë mbetur në përgjithësi”, tha Kusari-Lila.

Mes tjerash, Kusari-Lila tha se komunikimet të cilat kanë ndodhur mes Listës Serbe dhe Radojçiqit për çështjet që kanë të bëjnë me jetën apo mbarëvajten institucionale në Kosovë kanë treguar se nuk mund të vazhdojnë më tutje.

“Unë takime kam pasur me Slavko Simiq, unë asnjëherë nuk e kam takuar Milan Radojçiqin, pra asnjëherë në jetën time fizikisht nuk e kam takuar, as nuk kam kontakt të tij. Ai është nënkryetar i Listës Serbe dhe Lista Serbe e ka dëshmuar këtu në vazhdimësi se ka marrë leje nga ai ose kanë komunikuar me të. Megjithatë, komunikimet të cilat kanë ndodhur mes Listës Serbe dhe Radojçiqit për çështjet që kanë të bëjnë me jetën apo mbarëvajtjen institucionale në Kosovë kanë treguar se nuk mund të vazhdojnë. Për këtë arsyeje asnjë komunikim me të nuk ka që nga maji të vitit 2022z. Ata kanë qenë tërësisht në funksion të tij”, tha Kusari-Lila.

E pyetur nëse ka biseduar me kryeministrin e vendit, Albin Kurti sot për këtë çështje, Kusari – Lila tha se nuk kishte mundësi e as kohë.

“Në fakt nuk kam biseduar për arsyeje se kemi qenë në seancë prej mëngjesit. Komunikimin e kemi pasur më herët në raport me mbarëvajtje të seancës dhe në asnjë format për arsyeje se unë nuk i konsideroj serioze për të komentuar me tutje në raport me atë çfarë po pretendojnë. Ende më shumë që edhe paralajmërimet janë paradoksale për arsyeje se gjithë ajo çfarë ka ndodhur në Kuvend ka ndodhur në bazë të komunikimit minimal që mund ta kesh me Grupet e tjera parlamentare, komunikim ky dukshëm që nuk ka qenë mjaftueshëm për ata të vazhdojnë të qëndrojnë, por janë tërhequr ende para se të tërhiqen tërësisht gjithë përfaqësuesit e Listës Serbe nga institucionet tjera, në veçanti nga katër komunat në veri”, vijoi Kusari-Lila.

Gjatë ditës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pas publikimit të përgjimeve, e cila ka kërkuar përgjegjësi nga ana e Qeverisë Kurti, ku e përfshirë është shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. /kp

Back to top button