Kusari – Lila për grevën e minatorëve të Trepçës: E panevojshme

Kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari – Lila është deklaruar sot lidhur me grevën e minatorëve të Trepçës.

Ajo ka thënë se e shohin të panevojshme dhe me keqardhje këtë grevë.

“Në situatën aktuale ne e shohim të panevojshme dhe natyrisht edhe me keqardhje një grevë, dhe informatat që vijnë janë paksa kontradiktore, në raport me numrin e minatorëve që janë në grevë, në raport me mënyrën se si po mbahet greva, që nuk ka një Këshill organizativ me të cilin mund të bisedohet zyrtarisht”, tha ajo.

Kusari – Lila ka konsideruar se kërkesat e grevistëve “kanë kaluar në një stad të çuditshëm”, ndërsa ka shtuar se Qeveria është në komunikim të vazhdueshëm.

“Jam në dijeni që ka komunikim të vazhdueshëm, që kërkesat kanë kaluar paksa në një stad të çuditshëm. Kur ka fillu greva ka qenë çështja e pagave, kur është marrë vendimi i qeverisë edhe janë disbursu pagat, pastaj është fokusu kërkesa në shkarkimin e kryeshefit dhe për këtë çështje janë përgjegjëse Bordi i ndërmarrjes, nuk është Kuvendit, pastaj është ministria, Qeveria”, ka thënë ajo.

Sipas saj, kushtëzimet nuk sjellin zgjidhje.

“Gjithë këtë e shohim një mundësi që mund të zgjidhet por kushtëzimet e formës së ose shkarkojeni kryeshefin ose nuk dalim nga këtu, nuk sjellin ose nuk do të bijnë një të mirë as për ndërmarrje”, deklaroi Kusari – Lila pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Sot është dita e shtatë prej kur minatorët në Trepçë kanë hyrë në grevë.

Minatorët e “Trepçës” po e vazhdojnë grevën me kërkesat për përmirësimin e kushteve të punës, sigurimi shëndetësor, ekzekutimi me rregull i pagave dhe shkarkimi i kryeshefit./21Media

Back to top button